1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferenca e parë me përfaqësuesit myslimanë - fillim i mbarë

Vilma Filaj-Ballvora28 Shtator 2006

Ministri i brendshëm i Gjermanisë, Wolfgang Shäuble incioi fillimin e dialogut me myslimanët në Gjermani. Të gjithë pjesëmarrësit e cilësuan si të sukseshme dhe si një hap historik këtë konferencë

Fotografi: Fotomontage/AP/DW

Pavarësisht nga shumë çështje të debatueshme përmbajtësore qeveria dhe përfaqësuesit e myslimanëve në Gjermani u shprehën mëse të kënaqur me konferencën e parë për Islamin. Pjesëmarrësit përfaqësues të fesë myslimane e konsideruan si historik diskutimin që zgjati rreth tri orë në Berlin, ndërsa ministri i brendshëm Wolfgang Shäuble u shpreh për "një fillim të mbarë".

Në një konferencë shtypi ai theksoi: "Ne kemi pasur një diskutim të hapur. Nuk mund të them, se ka pasur vetëm harmoni, por ne ashtu siç e parashikuam, kemi komunikuar me një ton mjaft tolerant ndonëse kemi përfaqësuar edhe pozicione krejt të ndryshme."

Dialogu i nisur në këtë konferencë do të shtrihet në dy deri në tre vjet. Të dyja palët pranuan, se duhen zgjidhur problemet e shumta gjatë bisedimeve në vazhdim që janë planifikuar për dy vitet e ardhëshme. Problemet janë nga më të ndryshmet duke nisur qysh nga mësimi i notit për vajzat myslimane e deri tek përfaqësimi qendror i rreth 3,5 milionë myslimanëve në Gjermani. 30 pjesëmarrësit ishin në unanimitet, se është i domosdoshëm dialogu për të organizuar siç duhet p.sh. futja e lëndës së mësimit të fesë islame në gjermanisht nëpër shkolla.

Sa i përket rezultatit të konferencës, ministri Shäuble theksoi: "Lidhur me rezultatin mund të them, se në fund të gjithë ishim të një mendimi të përbashkët, se këtë projekt, kështu siç është konceptuar do ta vëmë në jetë së bashku."

Puna në procesin dy vjeçar të dialogut sipas ministrit, Shäuble do të ndahet në katër nëngrupe. Mbledhjet e punës të secilit grup dhe bisedimet në nivel qarku do të zhvillohen më 8 dhe 9 nëntor në Nyrnberg. Në Gjermani ekzistojnë 69 shoqata myslimanësh. Ndërkohë që mungon një përfaqësim i përbashkët i tyre apo një formë organizimi analog siç është kisha për të krishterët. Në prag të konferencës madje kjou shtrua si çështje, se kush do t´i përfaqësojë myslimanët në këtë dialog. Por siç njoftoi në konferencë Bekir Alboga i unionit turko-islamik, tani janë krijuar katër shoqata mbikqyrëse, që në të ardhmen do të bashkëpunojnë më ngushtë.