1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konflikti midis Armenisë dhe Azerbajxhanit

14 Shtator 2022

Ndizet sërish konflikti midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Armenia i kërkon ndihmë ushtarake Rusisë dhe aleancës mbrojtëse CSTO.

ARCHIV | Konflikt Aserbaidschan Armenien | armenische Soldaten
Fotografi: ARIS MESSINIS/AFP

Mes Armenisë dhe Azerbajxhanin shpërthyen përsëri luftime të ashpra në Kaukazin Jugor që shkaktuan dhjetëra të vrarë. Të dyja palët njoftuan se gjatë luftimeve kanë vdekur rreth 50 ushtarë. "Të martën në orën 00:05 të mëngjesit, Azerbajxhani nisi bombardimet intensive kundër grupeve ushtarake armene në qytetet Goris, Sotk dhe Jermuk”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Armenisë.

Kurse Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se shkak për luftimet ishte një përpjekje në shkallë të gjerë për sabotim nga armenët.

Fotografi: AFP/Getty Images

Në mbrëmje zjarri i artilerisë u qetësua disi, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Armenisë. BE-ja, Kombet e Bashkuara dhe SHBA-ja ndërhynë dhe kërkuan përfundimin e luftimeve. Luftimet u zhvilluan në rajonin e Nagorni-Karabakut, zonë brenda Azerbajxhanit e shpallur nga separatistët etnikë armenë si republikë e pavarur dhe e njohur më vonë si Artsakh.

Fotografi: Armenian Defense Ministry/AP/dpa/picture alliance

Territori u mbajt në kontroll nga separatistët armenë për gati 30 vjet derisa Azerbajxhani rifitoi kontrollin e pjesës më të madhe të territorit pas një lufte gjashtë-javore në vitin 2020 dhe marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga Rusia.

Të mërkurën (14.09) Këshilli i Sigurimit në Nju-Jork do të merret me konfliktin midis dy ish-republikave sovjetike, njoftoi agjencia ruse TASS, duke cituar burime të OKB-së.

Për shkak të situatës së tensionuar kryeministri armen Pashinyan telefonoi me presidentin rus Vladimir Putin. Kreu i qeverisë kërkoi ndihmë nga aleanca ushtarake CSTO, njoftoi televizioni armen. Aleanca mbrojtëse CSTO përbëhet nga Rusia dhe ish-republikat sovjetike të Armenisë, Bjellorusisë, Kazakistanit, Kirgistanit dhe Taxhikistanit.