Konfuzion në Qipro në pritje të hapjes së bankave
26 Mars 2013Në Qipro klientëve të pasur do t'u merret një taksë e posaçme me detyrim, e cila është më e lartë, nga sa mendohej deri tani. Ministri qipriot i Financave Mihalis Sarris i tha radios britanike BBC se taksa e detyrueshme për depozitat monetare mbi 100.000 euro mund të arrijë deri në 40 për qind. Deri tani ka qenë fjala për 30 për qind.
Ndërkohë bankat e vendit, të mbyllura që nga mesi i marsit, do të hapen përsëri, pa përjashtim, ditën e enjte (27.03.2013), bëri të ditur Ministri qipriot i Financave të hënën në mbrëmje vonë. Më parë ishte njoftuar se me përjashtim të dy institucioneve të mëdha financiare të dëmtuara, Bank of Cyprus dhe Laiki Bank, bankat e tjera do të hapeshin që këtë të martë. Siç mësoi agjencia gjermane e lajmeve (dpa) nga Ministria e Financave në Nikosia, bankat e vogla kishin protestuar me forcë, që të mos hapeshin veçmas nga dy të mëdhatë. Ato kanë pasur frikë nga vërshimi i klientëve. Bankat qëndrojnë të mbyllura që nga data 16 mars.
Verifikimi i trasferimit të parave jashtë shtetit
Kryetari i Parlamentit qipriot Ginnakis Omirou do të verifikojë tani njoftimet për trasferime shumash jashtëzakonisht të larta parashë jashtë shtetit dhe për tërheqjen e depozitave në javët dhe ditët para mbylljes së bankave. Siç mësoi agjencia gjermane e lajmeve (dpa) nga parlamentarë në Nikosia, Omirou ka kërkuar nga bankat një listë të të gjitha transferimeve jashtë vendit të javëve të fundit. Ai do të verifikojë, nëse zyrtarët e lartë, që ndodhen në qendrat vendimmarrëse të Bankës Qendrore, apo edhe në ndërtesën presidenciale, të cilët ishin në dijeni të vendimit të afërt për mbylljen e bankave, kanë dërguar pjesë të pasurive të tyre jashtë vendit.
Natën duke u gdhirë e hëna (25.03.2013) qeveria e Qipros ra dakord me partnerët e saj ndërkombëtarë për kredi miliardëshe. Si kompensim sektori bankar i vendit mesdhetar duhet të tkurret. Ndryshe nga ndihmat për Irlandën dhe Portugalinë personat me xhirollogari të pasura duhet të kontribuojnë për shpëtimin e bankave.