1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kongresi botëror për Sidën në Meksiko

(VFB)6 Gusht 2008

Kongresi i 17 ndërkombëtar për Sidën, që zhvillon punimet në Meksiko gjen jehonë në shtypin gjerman të së mërkurës.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" komenton: "Një në dy dollarë që derdhen për ndihmën e zhvillimit, aktualishit rezervohet për luftën kundër Sidës. E më së fundi miliardat po tregojnë efekt. Për herë të parë janë infektuar më pak njerëz nga virusi HIV dhe vdesin më pak njerëz prej Sidës. Por përveç kësaj ka vetëm lajme të këqia. Nuk ka thuajse as një shenjë shpresëdhënëse për shërimin e sëmundjes. Studjuesit e vaksinave kanë po aq pak lajme suksesi, sa edhe shkencëtarët, që merren me mikrobiocidet si mbrojtëse të gruas prej viursit HIV. Gjithashtu profilaksia dështon pikërisht në vendet, në të cilat ajo është aplikuar vite të tëra me sukses. Në vendet e industrializuara janë në rritje shifrat e sëmundjeve të përhapura prej kontakteve seksuale, një shenjë e qartë kjo, që prezervativët nuk përdoren."


Komentatori i "Heilbroner Stimme" tërheq vëmendjen: "Edhe 25 vjet pas zbulimit të sëmundjes nuk pritet ndonjë arritje udhërrëfyese nga kongresi i 17 për Sidën në Meksiko. Por nëse mbledhja e specialistëve ndërgjegjëson kokat e njerëzve për kërcënimin nga mortaja e kohëve moderne, atëherë kongresi ka arritur shumë. Megjithatë shtrohet pyetja: në ç´nivel është shërimi dhe vaksinimi profilaktik? A lejohet të shpresohen arritje të tilla në vende të industrializuara si Gjermania me studjues inteligjentë? Ekspertët kanë humbur nga vëmendja një prej qëllimeve kryesore, sepse paratë ata i përdorin kryesisht në fushën e studimeve për mundësitë e reja të terapive, duke u derdhur më shumë para nëpër arka degëve në rritje të farmaceutikës se sa fitore ndaj virusit HIV. Nevojitet një impenjim, një vullnet dhe një inat i ri për t´iu kundërvënë virusit. Vënia tërësisht nën kontroll e epidemisë nuk duhet të zgjasë edhe 25 vjet të tjera. Çdo vit që kalon është një humbje kohe dhe u kushton me jetë edhe dy milionë njerëzve të tjerë."


Një citat nga komenti i "Berliner Zeitung" : "Sida është kthyer ndërkohë në një sëmundje ashtu si edhe të tjerat, ajo mund të trajtohet, po ende nuk mund të shërohet. Megjithatë ajo nuk shihet aq si sëmundje duke u konsideruar më shumë si një dukuri kulturore thënë më saktë: si shprehje e një krize kulturore. Fakti që ajo ka të bëjë ndjenjën, dëshirën, intimen dhe të fshehtën, me stilin e jetesës apo me thelbin e jetës, bën që edhe në shoqëritë e iluminuara të jetë e vështirë që armiku kryesor, virusi HIV, të vihet rreptësisht në shënjestër dhe të luftohet me konseguencë. Politika ndaj Sidës më shumë ngatërrohet në vorbullën e mjeko-kulturore e nxitur prej grupeve të interesave. Por kjo do të thotë humbje kohe dhe çdo vit dy milionë të vdekur. Konferenca në Meksiko nuk do të ndryshojë gjë në këtë drejtim."