1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konservatorët fitojnë zgjedhjet parlamentare në Greqi

Niko Anagnosti17 Shtator 2007

Kryeministri Karamanlis dhe kabineti i tij i djathtë do të jenë në krye të timonit të Greqisë edhe për një mandat të ri katërvjeçar. Papandreu, është humbësi më i madh i duelit elektoral.

Kryeministri grek Kostas Karamanlis me bashkëshorten përshëndesin përkrahësit e "Demokracisë së Re" pas fitores në zgjedhjet parlamentareFotografi: AP

Zgjedhjet parlamentare të së djelës (16.09.'07) afirmuan Demokracinë e Re si forcën e parë politike në vend me 41.9 përqind duke lenë përsëri në opozitë, me 38.1 përqind socialistët e PASOK-ut të kryesuar nga Jorgos Papandreu, rezultat i cili u parashpall nga exit polls për t’u konfirmuar shumë shpej pa e kthyer proçesin e numërimit të votave në një triller të gjithëanshëm.

"I dhatë "Demokracisë së Re" një mandat të qartë që të vazhdojë ndryshimin, të vazhdojë reformat", tha Karamanlis në mesazhin e tij një orë pas mesnatës duke theksuar njëkohësisht se qeveria e tij si qeveri e gjithë grekëve dhe pa ngjyrë partiake "do të jetë më e mirë dhe më afër problemeve të popullit".

Rezultati është padyshim një fitore për kryeministrin 50-vjeçar, edhe pse nuk është në masën që ai aspironte dhe për të cilën shpalli zgjedhje-ekspres, në mes të verës, me një motivim jo bindës. Me një shumicë vërtet absolute por të limituar, vetëm me 152 deputetë, do të ftohet të menaxhojë një realitet politik më të vështirë se mandati i mëparshëm me ndërmarrjen apo thellimin e reformave të tilla siç është shëndosja e sistemit problematik të sigurimeve sociale, modernizimi i sistemit arsimor me funksionimin edhe të shkollave të larta private apo adoptimi i një politike më të drejtë fiskale pa shkaktuar tronditje politike dhe tensione sociale. Nuk mungojnë as çështje të politikës së jashtme, siç është ajo e konfliktit me Shkupin për emrin, që muajt e ardhshëm me aderimin e tij në NATO mund t’a verë Athinën para dilemes së madhe të përdorimit ose jo të vetos.

Qeverisja do të jetë dhe më e vështirë për konservatorët pasi çdo kompromis do të hasë në rezistencën e një partie nacionaliste tashmë parlamentare, asaj të "Alarmit Ortodoks Popullor", me 10 deputetë. "Në çdo vendim gri do të na ketë përballë tij" tha në përshendetjen e tij konçize kreu i partisë Karaxhaferis duke kërkuar shprehimisht që "Greqia të mbetet e grekëve". Më kryesorja Karamanlis dhe politika e tij do të kenë përballë tyre të majtën më të fuqishme parlamentare që nga koha e rënies së juntës fashiste, fituesen e madhe të këtyre zgjedhjeve me 36 deputetë: Partisë Komuniste dhe asaj Sinaspismos, përkatësisht nga 22 dhe 14 deputetë. Me gjithë diferencat e tyre këto dy parti, siç deklaruan liderët e tyre, do të kthehen në një oponencë të fuqishme përballë reformave radikale që mund të ndërmirren pa konsesus social .

Apeli i së majtës për shkurtimin e dy të mëdhenjve, pozitës së djathtë dhe opozitës socialiste, zuri vend edhe pse sistemi politik dy partiak, një çështje tabu në skenën politike greke, nuk u silurua siç pritej. Të forcat e mëdha pësuan humbje por në radhë të parë PASOK-u, madje edhe në zonat e zjarreve shkatërrimtare të Peloponezit, rreth 3 përqind në krahasim me zgjedhjet e mëparshme. Papandreu, i mundur për të dytën herë radhazi nga kundërshtari i tij politik Karamanlis pas zgjedhjeve të vitit 2004, është padyshim humbësi i madh i këtij dueli elektoral. Ai u detyrua të shpallë dhe proçedurat për rizgjedhjen e tij ndërkohë që kundërshtari i tij brendapartiak Evangjellos Venizellos, numri dy i partisë, në tone dramatike bëri fjalë për "një humbje të madhe dhe të dhimbshme". Venizellos shpalli kandidaturën e tij për postin e kryetarit të partisë vetëm pesë minuta pas deklaratës së kreut të partisë me një mesazh indirekt për fundin e dinastisë politike Papandreu.

"Në këtë betejë patëm role dhe përgjegjësi që të gjithë, i pari unë" tha Papandreu në frymë autokritike, që u vlerësua si jo bindëse, përballë një humbjeje që atij mund ti kushtojë kryesinë dhe partisë së tij mund ti shkaktojë një përçarje të thellë.