1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kontroll shtetëror përmes represionit dhe frikës - Vala e re e ekzekutimeve në Iran

Reza Abadi8 Gusht 2007

Dënimet me vdekje në Iran, krahasuar me vitet e mëparshme, janë shtuar shumë. Qysh prej fillimit të vitit janë ekzekutuar të paktën 137 njerëz.

Ekzekutime publike në TeheranFotografi: AP

Numri i ekzekutimeve në Iran vitin e kaluar është rritur me 70 përqind tërheq vëmendjen drejtorja e zyrës gjermane të organizatës së të drejtave të njeriut Human Rights Watch, Mariane Heuvagen (Mariane Heuwagen).

Një "gjykatë e revolucionit" në Iran në verlindje të vendit dënoi me varje dy gazetarë kurd të klasifikuar si "luftëtarë armiq". Ata akuzohen ndër të tjera për rrezikimin e sigurisë kombëtare si dhe për bashkëpunim me shërbimet e huaja sekrete. Në Iran ka filluar përsëri frikësimi i opozitës aktive dhe i kritikëve të regjimit. Përpara disa ditësh në verilindje të qytetit Mashad u ekzekutuan publikisht shtatë të akuzuar për tregti me drogë. Pak minuta përpara ekzekutimit të akuzuarit u intervistuan për një reportazh televiziv.

Dy ekzekutime publike me një prani të gjerë të medieve janë kryer së fundi edhe në Teheran. Kësaj here të dënuarit u poshtëruan publikisht. Këto zhvillime kryetarja e partisë ekologjike në Gjermani, Kaludia Rot (Claudia Roth) i cilësoi si një spektakël barbar i një "aparati të terrorit". Irani nuk duhet të zhytet në barbari, theksoi politikania gjermane.

Në kodin penal të Iranit ka një boshllëk juridik, që lë hapësirë për interpretime. Duket se pikërisht këtë shfrytëzon qeveria iraniane. Avokati iranian Mohamed Seyfzadeh: "Në bazë të nenit §29 të kodit penal iranian dinjiteti i të dënuarit është i pacënueshem, poshtërimi i tij është antiligjor, në rast se shkelen këto norma personelin e drejtësisë e kërcënojnë dënimet me burgim. Por disa klauzola shtesë e shfuqizojnë këtë nen për të burgosurit e sapo dënuar."

Regjimi reagon me panik ndaj çdo shenje që nënkupton rrëzimin e tij, thotë publicisti iranian Bahman Nirumand. Republika islamike është e mendimit, se mediet perëndimore punojnë për shërbimet sekrete. Në këtë kontekst mund të shpjegohen edhe dënimet kapitale për dy gazetarët kurdë. Regjimi do që ta trëmbë popullsinë dhe t´u japë një mësim kriminelëve për të mbytur kësisoj qysh në filiz çdo lloj protetste. Kështu shprehet ish-presidenti iranian Abolhasan Bani-Sadr: "Regjimi në fakt e ndjen veten të kërcënuar si në politikën e brendëshme ashtu edhe në politikën e jashtme. Njëkohësisht atij i duhet figura e armikut si brenda edhe jashtë vendit, për të krijuar imazhin e krizave, që të shkëputet vëmendja prej gjendjes së mjerueshme në përgjithësi në vend. Njëkohësisht ekzekutimet synojnë të ngjallin frikë dhe tmerr në popull."

Ndër problemet e mëdha të vendit janë papunësia e vazhdueshme, abuzimi me drogat, korrupsioni, prostitucioni, dhuna dhe kriminaliteti. Kuota e inflacionit është 16 përqind me tendencë rritjeje.

Irani bën pjesë ndër vendet me popullsinë më të re në botë, dy të tretat e 70 milionë banorëve janë nën moshën 30 vjeç. Ndër ta ka edhe studentë të angazhuar në politikë (mbi 60 përqind janë vajza), të cilëve qeveria do t´u japë një mësim të mirë krahas gazetarëve kritikë dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut. Gazetari dhe sociologu, Akbar Ganji, një ndër kundështarët e njohur të regjimit mendon: "Problemi kryesor është kontrolli shtetëror i shoqërisë premes respresionit dhe frikës. Dënimet e ashpra kanë për qëllim të ngjallin frikën në popull. Aktivistët politikë duhet të marrin një paralajmërim. Arrestimi i të rinjve u krijon shqetësim prindërve dhe familjeve të tyre."

Socialogët dhe psikologët vënë në pikëpyetje ekzekutimet në publik. Ata jo vetëm i dënojnë veprime të tilla, por paralajmërojnë për rezikun e pasojave afatgjata që ato lenë në shoqërinë iraniane, thotë avokati nga Teherani Bahman Keshavaz. Sipas tij pamjet e dhunës e ndjellin sërish dhunën.