1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

260710 EU-Kontrolleure Griechenland

27 Korrik 2010

Kur në Greqi flitet për kontrollorët e Komisionit të BE-së, të Bankës Qendrore Evropiane dhe të FMN-së, nënkuptohet trojka. Ekspertët e këtij grupi tresh qysh nga e hëna (26.07) janë duke verifikuar sërish statistikat.

Kontrolle evropiane mbi financat greke
Kontrolle evropiane mbi financat grekeFotografi: picture alliance / dpa / DWMontage

Nga këndvështrimi i Lidhjes së Sindikatave greke, GSEE, trojkës i interesojnë vetëm financat e shtetit dhe aspak realiteti i jetës së popullsisë. Kështu shprehet presidenti GSEE-së, Giannis Panagopoulos: "FMN-ja në fakt ka njohuri teknike, se si të shkurtohen pagat. Por ajo që ata nuk na e thonë ne është, se si mund të ulen çmimet! Krahasuar me vendet e tjera të eurozonës, niveli i çmimeve në Greqi është 93%, ndërsa niveli i pagave vetëm 63%. “

Masat e kursimeve në fokus të kontrollorëve - si po avancon qeveria dhe administrata e Greqisë?

Siç bëhet e ditur, kontrollorët do të merren kryesisht me reformat në sektorin grek të energjetikës dhe në sektorin e shëndetësisë. Përpara disa ditësh FMN-ja e cilësoi si të dobët sistemin e shëndetësisë në Greqi, ku herë pas here ndodh që pacientët duhet t' u paguajnë ryshfet mjekëve për të marrë sa më shpejt një orar vizite.

Në përgjithësi Greqia e zhytur në borxhe po avancon mirë me rimëkëmbjen e buxhetit, konstatohet në raportin paraprak të paraqitur së fundi nga FMN-ja. Por problemi është se rendimenti ekonomik në Greqi do të vazhdojë të bjerë në valën e programeve të kursimeve. Në vjeshtë madje pritet që të përshpejtohet rënia ekonomike dhe të rritet edhe më tej papunësia.

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Punonjësve të administratës shtetërore, ADEDY, Ilias Iliopoulos tërheq vëmendjen: "Masat e kursimeve do të ndihen në vjeshtë. Thënë ndryshe: punonjësi i nivelit mesatar ende nuk e ka kuptuar se çfarë e pret. Në shtator, tetor njerëzit do ta kuptojnë realitetin e ashpër, kur ata p.sh. nuk do të jenë në gjendje të paguajnë qiranë, ose këstet e kredisë për shtëpinë, të cilën do t' ua marrë banka."

Dy sindikatat e mëdha greke nuk tërhiqen

Për në vjeshtë ata kanë paralajmëruar greva dhe aksione masive proteste kundër masave të kursimeve të kërkuara prej trojkës.

Presidenti i GSEE-së, Giannis Panagopoulos i kërkon njëkohësisht qeverisë së tij, që të veprojë më ashpër kundër atyre që mashtrojnë me taksat. Në këtë mënyrë shteti mund të arrijë t' i rregullojë financat, pa e rënduar popullsinë. "Unë shpresoj, që në fund do të na ndihmojë e ashtuquajtura ekonomi ilegale. Greqia është vendi me ekonominë më të madhe ilegale në eurozonë. Le të shpresojmë që të gjitha këto para, që qarkullojnë ilegalisht dikur do të shfaqen në ekonominë reale! Produkti i vërtetë bruto i Greqisë me rreth 42% është shumë më i lartë nga shifra e përpiluar prej statistikave.“

Autor: Steffen Wurzel/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW