Griechenland Kontrolleure
9 Gusht 2010Dy javë resht përfaqësuesit e BE-së, të Bankës Qendrore Evropiane dhe të FMN-së krahasuan planin e reformave të qeverisë greke me rezultatet e para të arritura. Gjykimi i tyre: Greqia po kursen në mënyrë shembullore. Përpjekjet për rikuperimin e buxhetit të shtetit kanë pasur "suksese të konsiderueshme". Por ky vend ende ka "sfida të mëdha" përpara, tha Servaas Deroose, përfaqësues i Komisionit të BE-së në të ashtuquajturën trojka e kontrollorëve, pas përfundimit të misionit të tyre veriifkues në Greqi. Bilanci i trojkës është vendimtar, sepse pas kësaj Greqisë mund t' i jepet kësti i dytë i kredisë mbi nëntë miliardë euro.
Disa kufizime të vogla në lavdërimin e madh
Pavarësisht lavdërimit të madh për përpjekjet e reformave që po bën Athina kontrollorët shohin edhe nevojën për përmirësime. Ata konsiderojnë të domosdoshme avancimin e procesit të liberalizimit të sektorit të energjetikës. Përveç kësaj shoqëria shtetërore e hekurudhave, që ka një deficit vjetor prej dhjetë miliardë eurosh, duhet të reformohet urgjentisht. Edhe shpenzimet në sektorin e shëndetësisë duhet të kontrollohen më mirë, tha drejtuesi i trojkës Poul Thomsen. "Sfida e qeverisë do të jetë, të thyejë rezistencën e fortë të grupeve të interesit", thuhet në bilancin e kontrollorëve.
Kushte të forta për Greqinë
Qeveria greke negocioi me BE-në dhe FMN-në plane të rrepta kursimesh dhe në këmbim të kësaj iu premtuan ndihma kredish në vlerën 110 miliardë euro për tre vitet e ardhshme. Në maj BE-ja dhe FMN-ja lëvruan 20 miliardë euro. Me paketën e shpëtimit synohet të pengohet falimentimi i vendi të zhytur në borxhe të mëdha. Greqia duhet që vetëm brenda këtij viti të ulë deficitin buxhetor prej gati 13% në 8% të produktit bruto në vend.
Autorin: Sabine Faber /Vilma Filaj-Ballvora (dpa,afp,rtr)
Redaktoi: Eliana Xhani