Vështirësi financiare dhe administrative në trajtimin e fëmijëve në nevojë
8 Tetor 2013DW: Në momentin që ju nisët me projketin "ARSIS", cilat ishin problemet kryesore?
Kore: Arsis e nisi aktivitetin në Shqipëri, sepse identifikoi fëmijë shqiptarë, që shfrytëzoheshin në Greqi: në Selanik dhe në Athinë. Ata, që ndoqën rastet e këtyre fëmijëve, erdhën në Tiranë dhe hapën qendrën ditore për fëmijët në situatë rruge. Problemi i parë i madh është si të adresohen çështjet e fëmijëve, që janë në situatë rruge në kushte, kur nuk ka një sistem të mirëfilltë të mbrojtjes së fëmijëve dhe nuk ka as mekanizma për mbrojtjen e tyre.
DW: Keni pasur probleme në fillim për të gjetur fonde?
Kore: Si fillim ka qenë një projekt i quajtur "TAGG". Në të përfshiheshin veprime ndërshtetërore kundër trafikimit të fëmijëve, pra do të thotë që këto fonde ishin të siguruara nga Bashkimi Evropian, nga organizata Terre des Hommes dhe nga qeveria greke. Me ndërtimin e qendrës rritja e numrit të fëmijëve solli nevojë më të madhe për fonde. Që nga viti 2005 e deri më sot kemi marrë financime nga qeveria shqiptare, nga shteti shqiptar dhe vazhdojmë të mbijetojmë duke aplikuar për projekte. 100% e donatorëve tanë janë donatorë të huaj. Nuk është e lehtë të kërkosh fonde, sepse ose duhet të specializohesh në shërbimin, në ofrimin e shërbimeve, ose duhet të specializohesh në kërkimin e fondeve. Duke qenë shërbim ofrues dhe me shërbime të hapura jemi më pak burokratikë, kjo na e vështirëson punën për të tërhequr fonde për zhvillimin e aktiviteteve tona. E kam fjalën për aktivitetet në dy qendrat tona ditore, për punën në rrugë, që është e përditshme, për punën në komunitet, si dhe për punën për menaxhimin e rasteve në të gjithë territorin. Përveç vështirësive financiare janë dhe vështirësitë administrative, sepse për momentin që flasim nuk ekziston sistemi, gjë që do të thotë se është e vështirë, që t'i të bësh një menaxhim të mirëfilltë rastit.
DW: Kur morët paratë nga shteti për hapjen e kësaj qendre të trajtimit ditor, a kishte të bënte me një ndryshim të qëndrimit të zyrtarëve nga Bashkia e Tiranës, apo ishte kjo meritë e lobit tuaj?
Kore: UNICEF-i dhe Bashkia e Tiranës hapën një tender për ofrimin e shërbimeve multidisiplinare për fëmijët në situatë rruge dhe ne morëm pjesë në tender. Fondet, godina dhe furgoni, që kemi, janë dhënë nga bashkia e Tiranës për shërbimin bashkë me pajisjen, ndërsa fondet për realizimin e aktiviteteve dhe të shërbimeve vazhdojnë të jepen nga UNICEF-i. Ky është zero kontribut financiar si nga qeveria qendrore, ashtu edhe nga pushteti lokal, pra prej tyre vetëm më është dhënë godina dhe furgoni, kjo është e gjitha.
DW: Sa fëmijë përkujdesni këtu çdo ditë dhe çfarë bëni ju për këta fëmijë?
Kore: Qendra "Shtëpia e ngjyrave" u shërben 50-70 fëmijëve në ditë. Përpos fëmijëve u shërben dhe nënave të fëmijëve dhe gjithë të rriturve të tjerë, që vijnë në qendër. Shërbimet shkojnë nga shërbime higjeno-sanitare, larja e duarve, larja e dhëmbëve, ndërrimi i rrobave, larja e rrobave, ushqimi me dy vakte në ditë. Kemi edhe aktivitete psikosociale, ku ofrohet shërbimi i psikologut, shërbimi i animatorit social, kemi aktivitete edukuese, ku dy mësues merren me fëmijët, kemi aktivitete të asaj që futen në aspekte të edukimit qytetar, sepse një nga vështirësitë e mëdha, që kanë fëmijët për t'u integruar, është mosnjohja e rregullave të shoqërisë. Përveç aktiviteteve në qendër organizojmë edhe aktivitete në rrugë, përmes shkollës ambulante, pra puna, që bëjmë në rrugë me fëmijët. Dhe ndërkohë kemi dhe aktivitete tona të rregullta në komunitetet, prej nga vijnë fëmijët.
DW: I konktaktoni ju prindërit e fëmijëve, sepse dihet që fëmijët reflektojnë problemet, që kanë në shtëpi?
Kore: Duke qenë se ne nuk jemi shoqatë bamirëse, që ofrojmë thjesht ushqime, apo ndihma materiale, është e detyrueshme që të punojmë edhe me familjen. Një fëmijë rritet më mirë, zhvillohet më mirë, kur rritet në mjedisin familjar. Duke qenë se arsyet kryesore, pse fëmijët janë në situatë rruge, lidhen me varfërinë, me përjashtimin social, me diskriminimin, që i ndodh familjes së tyre, jo thjesht se janë familje rome, por sepse janë familje të varfëra. Gati 30% e aktiviteteve kanë të bëjnë me fuqizimin e familjeve, fuqizimin ekonomik, ofrimin e mundësive për punë, pjesëmarrjen aktive si qytetarë, deri tek të shkuait për të votuar, për të marë pjesë në jetën shoqërore, të gjitha këto janë pjesë e punës sonë. Gjithashtu bëhet punë shumë e madhe me nënat për fëmijët e porsalindur, pasi ky është fillimi i jetës. Ndërkohë punohet edhe me të dy prindërit, por edhe aktorë të tjerë brenda familjes, për të trajtuar çështjet e disiplinimit pozitiv, duke qenë se fëmijët janë objekt i dhunës së vazhdueshme fizike dhe verbale nga familjarët.
DW: Aktualisht në qendrën tuaj është e angazhuar si vullnetar një studente nga Gjermania, Yuka Mahn. Eshtë ajo e para vullnetare në organizatën tuaj?
Kore: Yuka është një nga vullnetaret tona të huaja, kemi pasur edhe tre vullnetarë zviceranë, njëri prej tyre vazhdon të punojë me ne. Yuka është e para vullnetare gjermane, që vjen nga programet e "Schüler helfen leben" (Nxënësit ndihmojnë jetën)
DW: Sa është e rëndësishmë për ju të punoni më vullnetarë ndërkombëtarë? A është ky edhe qëllimi juaj që të keni këtu vullnetarë të huaj?
Kore: Pikë së pari është një ndihmë e madhe e madhe për ne kushdo që vjen dhe na ndihmon, ose vullnetarizon në shërbimet tona. Ne asnjëherë nuk kemi burime të mjaftueshme njerëzore, qofshin këto brenda apo edhe jashtë Shqipërisë. Ne nuk bëjmë dallime, nëse ata që kontribuojnë duhet të jenë shqiptarë apo të huaj. Të pasurit e një të huaji vullnetar, pikë së pari është kulturë e re për ne, kulturë e re fëmijët. Fëmijët mësojnë nga një i huaj, mësojnë çfarë ndodh në Gjermani, jo thjesht që Gjermania është e bukur, por ata mësojnë të njohin një gjermane të vërtetë si në rastin e Yuka-s. E dyta, përmes këtij bashkëpunimi kemi shkëmbime experiencash, fitojmë njohuri mbi gjërat, që bëhen ndryshe në Gjermani dhe gjërat, që bëhen ndryshe në Shqipëri, si dhe kemi të tjera shkëmbime kulturore. Pra vullnetarët mësojnë prej nesh dhe ne mësojmë prej vullnetarëve. Pika tjetër është krijimi i lidhjeve të tjera, krijimi i lidhjeve jo vetëm për fondet, apo për anën profesionale, por edhe lidhjet e fëmijëve me bashkëmoshatarët e tyre në Gjermani.
DW: Si reagojnë fëmijët ndaj vullnetarëve të huaj?
Kore: Shqiptarët kanë një nivel shumë të lartë mikëpritjeje dhe të huajt janë të mirëpritur. Çështja tjetër varet nga secili vullnetar si individ. Ka vullnetarë, që rrinë ftohtë dhe bëjnë vetëm punën profesionale, por ka edhe vullnetarë si Yuka, që shoqërohen shumë shpejt me fëmijët. Yuka i ka kaluar barrierat e gjuhës ndërkohë, nga ana tjetër edhe fëmijët vetë kanë mësuar anglisht. Besoj se ka qenë një pranim i dyanshëm qoftë nga ana e Yuka-s, ashtu edhe nga ana e fëmijëve. Ata janë familjarizuar shumë midis tyre.