"Koreja e Veriut duhet të vendosë"
3 Nëntor 2014DW: Zoti Steinmeier, kur shihni këtë vendkalim kufitar a besoni vërtet se gjendemi pak para ribashkimit të Koresë, sikurse ju thonë partnerët të bisedimeve.
Frank-Walter Steinmeier: Ne e kemi përjetuar vetë që historia nuk zhvillohet, se ti beson në këtë apo atë gjë, por për shkak se kjo ndodh. Po pikërisht këtu, me kazermat blu në sfond, në afërsi të vijës së demarkacionit në mes të Koresë së Veriut dhe të Jugut, natyrisht të vijnë në mendje pamje që dominonin për dekada të tëra jetën e përditshme gjermano-gjermane gjatë Luftës së Ftohtë. Baraka blu këtu në sfond është diçka si ura e Glienickes tek ne në Berlin. Do të thotë: Këtu shkëmbehen të burgosurit, trupat e ushtarëve dhe civilëve të vrarë dhe këtu zhvillohen bisedime në nivel të lartë ushtarak në vend.
Ne gjermanët mund ta kuptojmë sigurisht mirë se si ndihen miqtë tanë koreanë të cilët nuk i kanë parë familjet e tyre për dekada të tëra, nuk marrin asnjë lajm prej tyre, pasi Koreja e Veriut i ka mbyllur plotësisht, brutalisht dhe vazhdimisht kontaktet. Ne jemi të kënaqur se Koreja ka dhënë sinjalin do të marrë pjesë në përvojën gjermano-gjermane. Dhe kjo është arsyeja pse unë rashe dakord për kërkesën nga Koreja për të ngritur një grup këshillimor gjerman-korean, i cili është takuar gjatë udhëtimit tim në Kore për herë të parë. Ne nuk vijmë këtu si mësues, plus kushtet janë shumë të ndryshme. Por ne jemi të lumtur që mund të tregojmë për qëndrimin tonë në vitet e ndarjes dhe mbi të gjitha për hapat drejt bashkimit.
Unë besoj se askush nuk ka iluzion se ne jemi në prag të bashkimit. Por unë e kuptoj se pikërisht në Seul ka vullnet serioz për të ndërmarrë hapat e parë në këtë drejtim. Unë vetëm mund të them se ne gjermanët kemi qenë me fat që mundëm të bënim përvojën se ndarja nuk duhet të jetë përgjithmonë. Këtë përvojë ua urojmë edhe koreanëve.
Ekziston shqetësimi se mund të ndodhë një implosion aktual politik në Korenë e Veriut. Ju theksuat edhe një herë të premten se sa e rëndësishme është tranzicioni i kontrolluar. Çfarë është e nevojshme për këtë?
Unë nuk mendoj se frika e shpërthimit politik është në këtë moment përshtypja dominante. Përshtypja që kemi pasur disa muaj më parë se drejtuesit e rinj nuk janë stabilizuar ose kërcënon zi e re buke, nuk është më për momentin përshtypja që kemi tani ne apo koreanët.
Në politikën e Koresë së Veriut kemi herë hapa para e herë mbrapat. Herë sinjale drejt Seulit, të cilat sugjerojnë se ka interes për ringjalljen e kontakteve, nga ana tjetër, vazhdim i kursit të hapur për energjinë bërthamore. Dhe prandaj të premten qe e nevojshme për të thënë publikisht: Ju nuk mund t'i keni të dyja në të njëjtën kohë: edhe armët bërthamore, me të cilën kërcënoni fqinjët në jug dhe gjithë rajonin, edhe zhvillimin ekonomik duke përdorur ndihmën e të njëjtëve fqinjë. Koreja e Veriut duhet të vendosë. Ne vetëm mund të shpresojmë dhe të inkurajojnë që ata të vendosin për politikën e drejtë.
Ju keni ngritur një grup këshillues së bashku me koreanojugorët, që merret me aspektet e politikës së jashtme. Si mund të përshihen dy fuqitë mbrojtëse, Kina për veriun, dhe SHBA për Jugun?
Ato janë të integruara. Kjo është arsyeja pse Seuli është duke punuar fort edhe me amerikanët dhe me Kinën. Sigurisht për momentin mund të thuhet asnjë fjalë përfundimtare. Ajo që ka ndryshuar është se Kina të paktën nuk është e mbyllur për bisedime mbi të ardhmen e Koresë, si vitet e mëparshme. Ky është një zhvillim i ri, i kujdesshëm, i cili nuk duhet të mbivlerësohet, por që megjithatë po ndodh.
Intervistën e zhvilloi Dagmar Engel në Panmunjom.