Koreja e Veriut e quan programin bërthamor "të pakthyeshëm"
2 Tetor 2023Koreja e Veriut e përshkruan zhvillimin e programit të saj bërthamor si të pakthyeshëm dhe refuzon të respektojë rezolutën e miratuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA). Kjo i bën thirrje Koresë së Veriut të kufizojë programet e saj bërthamore. Testet bërthamore në vitet e fundit janë dënuar nga IAEA dhe udhëheqësve të Phenianit u kujtohen marrëveshjet e mëparshme ndërkombëtare për denuklearizimin e gadishullit Korean.
Sipas dokumentit të IAEA, Koreja e Veriut nuk mund të bëhet një shtet bërthamor në përputhje me traktatin e mospërhapjes bërthamore. Vetëm vitin e kaluar Koreja e Veriut miratoi një ligj që justifikonte goditjen paraprake me armë bërthamore për të mbrojtur vendin.
"IAEA do të vazhdojë të monitorojë”
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike është zëdhënëse me pagesë për Shtetet e Bashkuara dhe rezoluta që synon Korenë e Veriut është rezultat i një komploti nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, tha një zëdhënës i Ministrisë së Industrisë Bërthamore të Koresë së Veriut.
Vetëm në fund të javës së kaluar Parlamenti i Koresë së Veriut i dha përparësi kushtetuese zhvillimit të programit të armëve bërthamore dhe miratoi një amendament kushtetues për ta bërë këtë. Televizioni i Koresë së Veriut tregoi udhëheqësin Kim Jong-Un duke u njoftuar ligjvënësve që brohorisnin furishëm se prodhimi i armëve bërthamore duhet të përshpejtohet përballë provokimeve nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.
Shefi i IAEA Rafael Grossi është akuzuar se ka ushtruar presion ndaj Koresë së Veriut duke përhapur zëra për një provë bërthamore të afërt. Vetë Grossi kohët e fundit riafirmoi, gjatë rizgjedhjes së tij si drejtor i përgjithshëm i IAEA, shpresën e tij për të mbetur në kontakt me Korenë e Veriut pavarësisht nga të gjitha vështirësitë. "IAEA do të vazhdojë të monitorojë programin bërthamor të Koresë së Veriut," tha Grossi.
Më shumë akses në Korenë e Veriut
IAEA vëzhgoi aktivitete në shtatë vende të ndryshme, vazhdoi Grossi. "Vazhdimi i paligjshëm i programit bërthamor të Koresë së Veriut përbën një shkelje të qartë të rezolutës përkatëse të Kombeve të Bashkuara”, tha 62-vjeçari. "Ne do të vazhdojmë punën tonë dhe shpresojmë të jemi në gjendje të rifillojmë dialogun me Korenë e Veriut."
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) nuk ka pasur akses në Korenë e Veriut që kur qeveria e Phenianit dëboi inspektorët nga vendi në vitin 2009 dhe rifilluan testimet bërthamore.
Koreja e Jugut gjithashtu vazhdon të paralajmërojë kundër armatimit bërthamor të fqinjit të saj verior. Gjatë një parade të forcave të armatosura të Koresë së Jugut për të shënuar 75 vjetorin e tyre, presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-Yeol foli javën e kaluar për rrezikun e luftës bërthamore.
Yoon: Koreja e Veriut kërcënon paqen botërore
"Megjithë protestat ndërkombëtare, Koreja e Veriut ka forcuar aftësitë e saj bërthamore”, tha Yoon. Koreja e Veriut kërcënon hapur se do të përdorë armët e saj bërthamore dhe përbën një kërcënim për paqen botërore. Nga ana e saj, Koreja e Veriut fajëson Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj për rritjen e rrezikut të luftës në rajon.
Republika Popullore Demokratike e Koresë nuk ka zgjidhje tjetër, tha përfaqësuesi i saj në OKB Kim Song në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, por të vazhdojë të zhvillojë forcat e saj të vetëmbrojtjes. Viti 2023 është një vit jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe situata e sigurisë në Gadishullin Korean është në prag të luftës bërthamore, shtoi ai.
aud (ARD)