Koreja e Veriut synon zgjerimin e forcave atomike
2 Prill 2013Partia e Punëtorëve në pushtet bëri thirrje që potenciali bërthamor koreanoverior të zgjerohet dhe të forcohet. Ky hap është pjesë e një politike për përforcimin "cilësor" dhe "sasior" të forcave atomike, u tha në Penjan. Gjithashtu do rinisë përsëri punën impianti i mbyllur bërthamor për arsye të krijimit të një "boshllëku" të energjisë, si pasojë e të cilit krijon një furnizim me ndërprerje në vend, thuhet më tej në Penjan. Reaktori bërthamor ishte mbyllur në verën e vitit 2007 pas negociatave të të ashtuquajturit grupi i gjashtëshes: Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut, Kina, Japonia, Rusia dhe SHBA-ja.
Asambleja Popullore Supreme e Koresë së Veriut u mblodh të hënën (01.04), gjatë një sesioni të përvitshëm njëditor. Ajo u fokusua kryesisht në vendimmarrje ekonomike. Pavarësisht kërcënimeve të fundit ushtarake nga Penjani, qeveria amerikane nuk sheh deri tani asnjë shenjë që Koreja e Veriut ta mbështesë me veprime retorikën e saj. "Nuk ka asnjë shenjë mobilizimi", tha zedhënësi i presidentit Barack Obama. Ai deklaroi më tej se kërcënimet ndjekin një model të njohur, por sidoqoftë ato merren shumë seriozisht.
SHBA-ja i ka zhvendosur për këtë arsye avionët e tipit F-22 nga baza e saj ushatarake në Japoni në Korenë e Jugut. Koreja e Veriut nga ana e saj ka deklaruar se është në gjendje lufte me atë të Jugut, duke e detyruar Seulin të deklarojë se do të kundërpërgjigjet ashpër ndaj agresionit të mundshëm të Koresë së Veriut. Presidentja koreanojugore Park Geun-Hye, tha se "nëse kërcënohet Koreja e Jugut, populli i saj, do të përgjigjet ashpër dhe nuk do të merret parasysh asnjë rrethanë politike".