1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koreja e Veriut vazhdon provokimet me teste

6 Tetor 2022

Vendi komunist ka lëshuar sërish raketa drejt Japonisë, këtë herë me sa duket raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi. Ndërkohë janë shtuar akuzat dhe kundërakuzat për acarimin e raporteve.

USA und Südkorea starten Raketen
Fotografi: South Korea Defense Ministry/AP/dpa/picture alliance

Qeveria japoneze dhe shtabi i përgjithshëm i Koresë së Jugut raportuan se dy raketa balistike me rreze të shkurtëra janë shkrepur nga Koreja e Veriut drejt bregut lindor të Japonisë. Sipas shërbimit sekret të Koresë së Jugut JCS, raketat janë lansuar pranë kryeqytetit të Koresë së Veriut, Phenian. Ky ishte lëshimi i gjashtë i raketës nga Koreja e Veriut në 12 ditët e fundit. Të martën (04.10), një raketë e Koresë së Veriut fluturoi mbi Japoninë veriore për herë të parë në pesë vjetët e fundit.

Japonia e indinjuar

Fotografi: Kim Hong-Ji/REUTERS

"Kjo absolutisht nuk mund të tolerohet," u tha gazetarëve kryeministri japonez Fumio Kishida pas testit të fundit të armëve nga Koreja e Veriut. "Koreja e Veriut ka rritur pamëshirshëm dhe në mënyrë të njëanshme provokimet e saj, veçanërisht që nga fillimi i këtij viti”, tha ministri japonez i Mbrojtjes Yasukazu Hamada. Lidhur me testin e fundit të raketës, Hamada shpjegoi se predha fluturoi midis 350 dhe 800 kilometra në një lartësi maksimale prej 50 deri në 100 kilometra dhe ra në det jashtë zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë.

Pak para lëshimit të fundit të raketës, Koreja e Veriut kishte kritikuar transferimin e aeroplanmbajtëses amerikane USS Ronald Reagan në ujërat pranë Gadishullit Korean. Kjo përbën një kërcënim serioz për stabilitetin e situatës, tha Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut. USS Ronald Reagan dhe anijet luftarake shoqëruese u zhvendosën në zonën detare në përgjigje të lëshimit të raketës së Koresë së Veriut drejt Japonisë të martën (04.10).

Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk arrin marrëveshje

Fotografi: Richard A. Brooks/AFP

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një mbledhje urgjente për testet e Koresë së Veriut me raketa. Por debati përfundoi pa marrëveshje. Në takim, Rusia dhe Kina këmbëngulën se stërvitjet e përbashkëta ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut në rajon e kishin provokuar Korenë e Veriut për të ndërmarrë veprime.

Koreja e Veriut, e cila është kryesisht e izoluar ndërkombëtarisht, është nën sanksione të rrepta të SHBA-së dhe OKB-së për shkak të programeve të saj bërthamore dhe raketore. Pavarësisht nga kjo, prej vitesh udhëheqja e sundimtarit Kim Jong Un ka shtyrë përpara zhvillimin e raketave që jo vetëm mund të godasin Korenë e Jugut dhe Japoninë, por mund të transportojnë edhe koka bërthamore në Shtetet e Bashkuara. Koreja e Veriut ka lëshuar më shumë se 30 raketa këtë vit.

bc/qu/wa (rtr, afp, dpa, ap)