1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Korrupsioni në Rumani - Aksion i ri kundër policëve të kufirit

11 Shkurt 2011

Në Rumani janë arrestuar dyzina policësh të policisë kufitare dhe doganierë për shkak të dyshimit për korrupsion. Presidenti i shtetit personalisht i përshkroi në televizion detajet e aksionit.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/dpa

Numri po vjen duke u shtuar: gjithsej 170 doganierë dhe policë kufiri ka urdhëruar të arrestohen Zyra Antikorrupsion e Rumanisë në ditët e fundit. Ata akuzohen gjithmonë thuajse për të njëjtën gjë: kontrabandë cigaresh dhe pranimi thuajse rutinë e ryshfeteve, dhe kjo pikërisht aty, ku në të ardhmen sipas udhëheqjes politike të Bukureshtit do të kalojë kufiri i jashtëm i Shengenit: në lindje të pikave të kontrollit me Ukrainën, në Perëndim në kufi me Serbinë.

Pamje simbolike, duhan i konfiskuar në kufiFotografi: picture-alliance/ dpa

Midis 3 dhe 10 mijë euro për turn mendohet që janë dhënë ryshfet për çdo turn në disa prej kalimeve kufitare. Në përzgjedhjen e vendeve ku futeshin paratë punonjësit e kufirit kanë qenë shpesh me fantazi: njëherë paratë futeshin në kova prej llamarine, herë tjetër në kasketa prej gëzofi. Kur mbaronte turni paratë ndaheshin: gjysma e parave shkonte te shefat, një çerek i pjesës te policët e kufirit dhe 3/4 te doganierët.

Aksioni i Prokurorisë ka mbështetje që shumë lart. Për presidentin e vendit, Traian Basescu ky veprim madje vjen në kohën e duhur:

Në foto, Traian BasescuFotografi: Autor Sorin Lupsa / Administratia prezidentiala

"Interesi ynë është që të vërtetojmë se ne e luftojmë korrupsionin me të vërtetë seriozisht dhe se nuk bëjmë aktivitet propagandistik, vetëm sepse dikush pohon se ne nuk jemi të përgatitur sa duhet për të hyrë në zonën e Shengenit."

Në fakt, Rumania kishte pritur që që prej fundit të marsit të eleminohen kontrollet e personave gjatë hyrjes në shumicën e vendeve të BE. Por Gjermania dhe Franca e kundërshtojnë këtë, ndërkohë edhe shtete të tjera kanë shprehur dyshime. Argumentimi: Bukureshti është shumë i plogësht në luftën kundër korrupsionit.

Presidenti Basescu druhet jo së fundi për imazhin e tij personal. Që prej vitesh ai e sheh veten si luftëtar të vetmuar për drejtësi dhe kundër shkeljeve në politikë dhe shoqëri. Tani, punonjësit e korruptuar të kufirit kanë rastin të dëgjojnë gjithë zemërimin e tij të grumbulluar:

"Ne të gjithë e dimë se sa të duhet të paguash për të marrë një post si doganier në kufi dhe sa e rëndësishme është për një punonjës kufiri që të punojë në një pikë kalimi të leverdsisshme të kufirit. Të gjitha këto janë të njohura prej kohësh, në bazë të atyre që dëgjojmë. Por këtë herë ne kemi edhe të dhëna konkrete për zotërinjtë që tani i arrestuan."

Pamje ilustruese - korrupsioni në doganat rumuneFotografi: picture-alliance/dpa

Pastaj Basescu kalon në detaje:

"Midis tyre janë njerëz, që pas një periudhe dyvjeçare në post kanë ndërtuar vila dykatëshe ose kanë blerë toka gjigante në vendet më të mira. Me një rrogë mujore prej 400 deri 500 euro është mjaft e qartë, se çfarë duhet të fshihet pas kësaj mirëqënieje të papritur."

Por aksionet kundër policëve kufitarë dhe doganierëve nuk mjaftojnë që Rumania ta bindë botën e jashtme për luftën e saj të drejtë kundër korrupsionit. Parlamentin në Rumani e pret diskutimi i një rasti të ri, shumë të veçantë i pasurisë së papritur. Një deputet i demokratëve liberalë në pushtet akuzohet për shantazh. Në bazë të informacioneve të medieve, atij i përkasin toka me përmasat e një qyteti të vogël me madhësi mesatare, gjashtë pasuri të patundshme dhe pesë automjete.

Autor: Jörg Paas / Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti