1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Korrupsioni- një nga problemet më shqetësuese në Rumani

Katrin Mataei17 Maj 2006

Në rast se BE-ja konstaton deficite në reformat e kërkuara ndaj Rumanisë dhe Bullgarisë, mundësohet shtyrja e antarësimit. Në tetor, KE do të japë vlerësimin nëse antarësimi do të jetë i plotë apo i pjesshëm.

Bukureshti
BukureshtiFotografi: dpa


Eshtë koha e drekës në lokalin e Violeta Reiterit. Kjo vajzë e re rumune ka jetuar 12 vjet në Gjermani dhe ka një vit që është kthyer në Bukuresht. Këtu ajo drejton një lokal të thjeshtë me një birrari në kuartierin Pipera, një zonë industriale në bum. Ashtu si dhe shumë rumunë Violeta Reiter nuk preferon të flasë për problemin e saj me korrupsionin, si p.sh. nëse ajo u fsheh diçka nëpunësve rigorozë të entit rumun të shëndetësisë, apo policisë financiare: "Herë pas here më duhet të fsheh diçka. P.sh. në periudhën e Pashkëve pothuajse çdo ditë kishim kontroll. Kontrollorët gjejnë gjithmonë diçka, ndaj s´mund të bëj ndryshe."

Jo gjithmonë mund t´u prishet mendja kontrollorëve me ndonjë ryshfet të vogël: "Me ndonjërin edhe mund të manovrosh, por jo me të gjithë. Ata kanë frikë vet, aq më shumë tani që jemi në prag të antarësimit në BE. Edhe vetë nëpunësit u nënshtrohen kontrolleve."

Ndërsa sipërmarrësit e vegjël si Violeta Reiter përpiqen të manovrojnë në mënyrën e tyre për t´u bërë ballë rregullave rigoroze, firmat e mëdha të huaja zyrtarisht refuzojnë çdo lloj ryshfeti. Si p.sh. filiali i Siemens-it Infineon. Në Bukuresht kjo firmë ka hapur një qendër për zhvillimin e teknologjive. Nëpunësit e doganave herë pas here përmes ryshfetit tolerojnë formularët që nuk u përgjigjen rregullores. Por Tomas Simonis, drejtues i qendrës së Infineon-it në Rumani vë në dukje: "Ne nuk paguajmë ryshfet askund, e çdo punonjës e di mirë, se nëse kapet një herë, humbet vendin e punës. Kjo bën që ndonjëherë proceset të zgjasin më shumë, veçanërisht proceset doganore. Por unë e duroj këtë edhe pse nervozohem kur puna zvarritet me javë. Ne jemi shumë korrekt në këto procese."

Presioni i BE-së ka pasur mjaft efekt ndaj opinionit në Rumani. Kjo është edhe një meritë e Monika Macoveit, që është qysh prej një viti e gjysmë ministre e drejtësisë. Ajo është duke reformuar sistemin e drejtësisë, po forcon pavarësinë e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Ndonëse ka pasur rezistencë të fortë ajo ia doli që të nxjerrë ligjin kundër ryshfeteve ndaj deputetëve. Ndërkohë janë në proces paditë e para, por ende s´janë dhënë dënime. Nga ana e BE-së po shtohen gjithnjë e më shumë zërat për kryerjen e proceseve. Sipas Macoveit: "Në rastet e aferave të mëdha të korrupsionit mund të ishin dhënë dënimet e para, nëse personat përkatës do të ishin paditur prej kohësh. Faktikisht këto procese kanë nisur përpara një gjysmë viti. Ndaj s´mund të presësh shpallje dënimesh në një periudhë më pak se një vit. Rastet duhet të kalojnë në disa instanca dhe ne jemi kundër trajtimit të veçantë të rasteve të korrupsionit. Të kërkosh qysh tani dënime nuk është as logjike dhe as korrekte."

Projekti tjetër ambicioz i ministres Macovei është krijimi i një të ashtuquajture zyra e integritetit. Qëllimi i këtij institucioni do të jetë të kontrollojë pasuritë e nëpunësve të lartë të shtetit. Si: imobiljet që posedojnë ata, apo xhirollogaritë bankare, bizhuteritë apo veprat e artit, madje do të kontrollohen edhe bashkëshortet. Ndërkohë po hetohen rreth 20 politikanë. Ambasadori i BE-së, Xhonatan Shel: "Ne konstatojmë një ndryshim rrënjësor në sistemin e drejtësisë. Ky sistem është tani shumë më i pavarur dhe i financuar më mirë. Gradualisht po arrihen standardet profesionale, që presim edhe nga vendet e tjera antare të BE-së. Eshtë mëse e qartë, se s´ka më falje të korrupsionit në nivelet e larta. Tashmë askush nuk qëndron mbi ligjin."

Sipas mendimit të shumicës së rumunëve kjo është meritë e presionit të ushtruar nga jashtë. Rumunët shpresojnë antarësimin e shpejtë në BE, sepse vetëm kështu Rumania mund të ecë përpara.