Kosovë: 18 vetë në pranga për mashtrime nga call-center
8 Prill 2021Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se ka sekuestruar dhe ka ngrirë 2 milion e 389 mijë e 750 euro në kuadër të një operacionit në disa call-center në Prishtinë dhe Ferizaj nën dyshimet për mashtrim të qytetarëve gjermanë. Nga aksioni i Prokurorisë Speciale i nisur nga data 31 mars, rezultoi me arrestimin e 18 personave të cilët akuzohen për veprat penale, të mashtrimit dhe krimit të organizuar. Aksioni i policisë së Kosovës është bërë në bashkëpunim edhe me policinë gjermane, përkatësisht me prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme në Bamberg të Gjermanisë.
Po ashtu janë sekuestruar nëntë vetura si dhe një numër i konsiderueshëm kompjuterësh, serverësh dhe telefonash celularë, që janë shfrytëzuar për kryerjen e veprave penale”, njofton Prokuroria Speciale.
Pas arrestimit të këtyre personave, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, aprovoi kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në këtë çështje penale. Masën e paraburgimit është një muaji për çdo të pandehur.
"Ekziston dyshimi i bazuar se që nga viti 2018 dhe në vazhdimësi deri me datën 31 mars 2021, të pandehurit duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki dhe me role të përcaktuara, të udhëhequr nga të pandehurit A.F. dhe F.D. dhe në bashkëpunim mes tyre, me dashje dhe qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar për kryerjen e veprimeve mashtruese në formën e ashtuquajtur tregtisë kibernetike, përmes platformave dhe një softueri të programuar për drejtimin e platformave të tilla, të njëjtit paraqiten si tregtar në disa faqe internetit të cilët u drejtohen personave të interesuar në Gjermani, duke i kontaktuar përmes telefonit dhe duke i bindur personat e interesuar me premtime për fitime të larta duke i vënë të njëjtit në lajthitje e që ata u besonin për të bërë pagesa në llogari të ndryshme, për kompanitë të cilat e ushtrojnë biznesin e shërbimeve telefonike Call Center”, thuhet në njoftim, ku bëhet e ditur se humbja financiare e të dëmtuarve arrin në rreth katër milion euro.
Edhe në nëntor të vitit të shkuar, autoritetet e sigurisë në Gjermani së bashku me policinë në Kosovë ia dolën të godasin një bandë kriminele që operonte nga Kosova dhe përfitonte miliona euro, duke gënjyer pensionistët me premtime për fitore në lloto. Atë kohë në Kosovë u arrestuan nëntë vetë.
Pjesëtarët e grupit kriminal merrnin në telefon duke folur gjermanishte të rrjedhshme nga një "Call-Center” në Kosovë kryesisht persona të moshuar dhe të vetmuar, njoftonte agjencia e lajmeve afp, duke iu referuar të dhënave të policisë. Pjesëtarët e grupit, u premtonin fitore prej disa qindra mijëra eurosh në lloto qytetarëve gjermanë. Por për të siguruar paratë e fituara në gjoja lloton, kriminelët kërkonin pagesa tarifash për transportin, sigurimet apo kosto për noterin.
Me informacionet e përfituara nga këto arrestime policia arriti të identifikojë organizatorët, të lokalizojë "Call-Centerin” në Kosovë e në fund ta shkatërrojë bandën, shkruante dpa.