1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE kritikon dekretimin e dorëheqjeve të prokurorëve serbë

dpa, AFP, Reuters
21 Korrik 2026

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës dekretoi lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë. Bashkimi Evropian reagoi duke shprehur shqetësim për ligjshmërinë e vendimeve.

Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu
Dekretimi i dorëheqjeve të prokurorëve serbë të Kosovës nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, përballet me kritika nga BE-ja. Fotografi: Leutrim Likaj/Office of the Kosovo Prime Minister

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dekretoi (21.07.) dorëheqjet e shtatë prokurorëve nga komuniteti serb. Prokurorët serbë kishin dhënë dorëheqjen në vitin 2022, por pesë ditë më parë ata i tërhoqën kërkesat dorëheqjet e tyre, gjë që nuk u pranua nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Ky veprim i ushtrueses së detyrës së presidentes Haxhiu shqetësoi Bashkimin Evropian, i cili tha se këto vendime "nuk duken se janë në përputhje me ligjin”. Lidhur me dekretin Haxhiu tha se "askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve e as të krijojë paqartësi juridike”.

"Pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, kam nënshkruar dekretet për lirimin e tyre nga detyra. Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Shteti ynë funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara”, shkroi presidentja në njoftimin e saj për publikun lidhur me dekretin.

Reagimi i Bashkimit Evropian

Bashkimi Evropian reagoi ndaj autoriteteve kosovare duke shprehur shqetësim dhe duke i cilësuar këto vendime si "jo në përputhje me ligjin, kërkesat procedurale dhe sundimin e ligjit në Kosovë”.

"BE është e shqetësuar me vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për të pranuar dorëheqjet të cilat tashmë ishin tërhequr dhe me vendimin e sotëm të ushtrueses së detyrës së presidentes për të dekretuar këto dorëheqje. Kjo duket se nuk është në përputhje me ligjin, me procedurën e nevojshme dhe kërkesat nga sundimi i ligjit në Kosovë. Sipas Kushtetutës së saj Kosova është një shoqëri multietnike e qeverisur nga sundimi i ligjit dhe sistemi i saj gjyqësor duhet të reflektojë diversitetin etnik të Kosovës”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Më tej thuhet se "Bashkimi Evropian në vazhdimësi i ka bërë thirrje Kosovës që të mundësojë riintegrimin e personelit gjyqësor të serbëve të Kosovës në përputhje me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjet prej dialogut”, duke u bërë thirrje njëkohësisht të gjitha institucioneve relevante "që të përmbahen nga veprimet që kanë për qëllim pengimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës”.

Largimi kolektiv i serbëve nga institucionet e Kosovës

Procesi i integrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë në Kosovë ishte pjesë e marrëveshjeve në Bruksel në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në vitin 2022, dhjetëra gjyqtarë, prokurorë, policë dhe qindra staf përcjellës të tyre serbë, kryesisht nga veriu i Kosovës, dhanë dorëheqjen pas një vendimi të Qeverisë së Kosovës që shkarkoi nga detyra drejtorin serb të Policisë për rajonin e veriut.Fotografi: Bojan Slavkovic/AP Photo/picture alliance

Në vitin 2022, dhjetëra gjyqtarë, prokurorë, policë dhe qindra staf përcjellës të tyre serbë, kryesisht nga veriu i Kosovës, dhanë dorëheqjen pas një vendimi të Qeverisë së Kosovës që shkarkoi nga detyra drejtorin serb të Policisë për rajonin e veriut. Ai pati refuzuar të zbatonte një vendim të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e targave ilegale serbe të automjeteve, ndonëse ky vendim i qeverisë hyri në fuqi dhe tashmë ai implementohet në Kosovë.

Largimi kolektiv i serbëve nga institucionet e Kosovës ishte iniciuar nga partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Srpska, me mbështetjen edhe të autoriteteve në Beograd. Këta të fundit punonjësve serbë të dorëhequr u dhanë kontrata të përkohshme pune në institucionet paralele serbe në Kosovë dhe paguheshin nga buxheti i Serbisë.

Por në fund të vitit 2023 presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe lista Srpska u bëri thirrje serbëve që të rikthehen në Policinë e Kosovës dhe në institucionet e drejtësisë, duke pranuar se largimi i tyre në mënyrë kolektive ishte gabim.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga ushtruesi i detyrës së kryeministrit, Albin Kurti, thotë se rikthimi i serbëve në institucionet e Kosovës nuk mund të jetë çështje politike, por duhet të trajtohet si çështje juridike dhe kushtetuese, bazuar në ligjet e Kosovës.Titull: Dekretimi i dorëheqjeve të prokurorëve serbë të Kosovës përballet me kritika nga BE-ja.

dpa, AFP, Reuters agjenci
Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW