1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Dënohen kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë

27 Korrik 2023

Rreth 50 polic të rinj serbë të Kosovës nisën punën këtë javë në veri të Kosovës. Por, ata po përballen me një fushatë kërcënuese dhe denigruese ndaj tyre.

NO FLASH Symbolbild Spannung an Grenze Kosovo Serbien Symbolbild ARCHIV
Fotografi: picture-alliance/dpa

Autoritet vendase dhe ato ndërkombëtare i dënuan kërcënimet dhe fushatën denigruese që po ushtrohet ndaj policëve të rinj serbë, që nisën punën këtë javë në policinë e Kosovës dhe u vendosën në pjesën veriore të vendit. Në fillim të javës në kanalet e platformës Telegram, nisi të qarkullojë një postim me fotografi të serbëve që iu bashkuan Policisë së Kosovës. Në këtë postim u publikuan emrat, për të cilët pretendohet se janë policë të rinj nga radhët e komunitetit serb, të cilët u thirrën edhe me emra pezhorativë dhe u kërcënuan në forma të ndyshme. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i quajti të papranueshme kërcënimet ndaj policëve të rinj të komuniteti serb dhe kërkoi nga faktori ndërkombëtar që të dënojë fort çfarëdo fushate të organizuar linçimi e frikësimi ndaj policëve nga komuniteti joshumicë.

"Fushatat në platformat sociale që kanë për qëllim kërcënimin e frikësimin e tyre janë të papranueshme për ne edhe pse jam i bindur që janë krejtësisht të shpërfillura prej vetë tyre. Ata sot janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, sepse janë profesionistë të guximshëm. Faktori ndërkombëtar duhet të jetë i zëshëm ndaj trysnive të vazhdueshme të Beogradit mbi komunitetin serb që synim e kanë parandalimin e integrimit të tyre në jetën institucionale të Kosovës”, thotë kryeministri Kurti. Edhe Presidentja Vjosa Osmani, shkroi se "Kjo fushatë duhet të ndalet dhe autorët të dalin para drejtësisë”. "Ne qëndrojmë pranë policëve tanë, ndërsa ata shërbejnë me guxim për një ambient më të sigurt për të gjithë", shkroi presidentja Osmani. Edhe ambasadorë të vendeve të QUINT-tit, reaguan dhe dënuan kërcënimet ndaj policëve të rinj të Kosovës nga komunitetet joshumicë.

Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, shkroi në twitter se kjo "fushatë frikësimi është shqetësuese dhe duhet të ndalet menjëherë”.

"Kjo fushatë frikësimi është absolutisht shqetësuese. Duhet të ndalet menjëherë. Policët e rinj nga komunitetet e pakicës boshnjake, rome, serbe dhe turke meritojnë të gjithë mbështetjen, veçanërisht nga komunat dhe qytetarët ku janë të dislokuar”, shkroi Rohde. Edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se "Policia e Kosovës ekziston për t'u shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe se ajo duhet të pasqyrojë diversitetin e Kosovës”. Shefi i misionit EULEX, tha se "ҫdo lloj frikësimi është i papranueshëm dhe theksoj rëndësinë e Policisë së Kosovës në përfaqësimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

45 policë të komunitetit serb nisën punën në stacionet policore në katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Ata nisën punën pasi rreth 550 policë serbë u larguan nga Policia e Kosovës në nëntorin e vitit të shkuar. Këta 550 policë serb ishin integruar në Policinë e Kosovës në bazë të marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në vitin 2013 në kuadër të dialogut  për normalizimin e marrëdhënieve.