1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Faza e dytë e lirimit të masave në varësi të pandemisë

Bekim Shehu
18 Maj 2020

Fillimin e fazës së dytë të lirimit të masave sidomos për bizneset, Oda Ekonomike e Kosovës e ka cilësuar si vendim të drejtë, ndonëse ka kritika për qeverinë. Sipas saj vendet e rajonit ishin shumë më efikase.

Pristina, Kosovo
Fotografi: DW/I. Đerković

Në Kosovë nga e hëna (18.05) filloi faza e dytë e lehtësimit të masave kundër Covid-19, por jo heqja e tërësishme e masës së lirisë së lëvizjes. Njërëzit sërish mund të lëvizin të lirë jashtë shtëpive të tyre vetëm dy herë gjatë ditës nga dy orë, në mëngjes dhe në mbrëmje, gjithsej vetëm katër orë brenda ditës, të përzgjedhur varësisht nga numri i parafundit në letërnjoftim. Policia e Kosovës po vazhdon penalizimin e personave që thyejnë masat e kufizimit të lëvizjes. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, policia ka ndaluar 25 persona.

Kujdes por jo dëshpërim!

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e argumenton vendimin për të filluar me fazën e dytë të lehtësimit të masave me rekomandimin e dhënë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë. "Nga e hëna rihapen këto biznese; floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, pra varianti merre me vete, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë. Qytetarët do të kenë mundësi që të dalin dy herë në ditë nga dy orë, varësisht nga numri i fundit në kartat e tyre të identitetit”, tha Albin Kurti.

Ministria në detyrë e Shëndetësisë megjithatë ka paralajmëruar se mund të ashpërsojë masat e izolimit, nëse rritet numri i të infektuarve me koronavirus. Në Kosovë që nga fillimi i pandemisë janë konfirmuar gjithsej 985 raste të të infektuarve me koronavirusin Covid-19, nga të cilët 736 janë shëruar, ndërsa, 29 përfunduan me vdekje. Ditëve të fundit pati një rritje të numrit të personave të prekur me Covid-19, raste këto kontakti të monitoruar dhe përcjellë nga Ministria e Shëndetësisë.

Fotografi: Getty Images/AFP/A. Nimani

Por infektologu i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës Valbon Kraniqi shprehet, se megjithatë situata mbetet nën kontroll. Pavarësisht rritjes së numrit të rasteve ditëve të fundit, s'ka vend për dëshpërim e zhgënjim. Asnjë pandemi nuk përfundon në mënyrë të përnjëhershme. Situata është e menaxhueshme. Jemi në rrugë të drejtë. Mbani maskat, dezinfektoni duart rregullisht, vazhdoni të mbani distancën fizike dhe suksesi është i garantuar”, shkroi infektologu Valbon Krasniqi.

Bizneset e vogla fillojnë të marrin frymë

Masat lehtësuese nga e hëna janë paraparë edhe për bizneset e vogla. Lirimin e masave sidomos për bizneset, Oda Ekonomike e Kosovës e ka cilësuar si vendim të drejtë, ndonëse ka kritika për qeverinë duke thënë se vendet e rajonit, ishin shumë më "efikase dhe me përkrahje shumë më përmbajtesore për shpëtimin dhe rimëkëmbjen e ekonomisë”. Kështu shkroi në profilin e tij Berat Rukuqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, pas një takimi online që zhvilloi me homologët e tij nga vendet e rajonit.

"Secili vend në rajon, ka implementuar masat emergjente, kurse tani po implementojnë masat e pakos të II-të, që në masë të madhe është e fokusuar në likuiditetin e kompanive, përkatesisht përmes ofrimit të garancive për sistemin finaciar, për të lehtësuar qasjen në kredi për biznese, si dhe me skema të granteve për bizneset më të demtuara. Gati në shumicën e vendeve të rajonit, tani janë duke u hartuar masat pakos së III-të, e fokusuar në rimëkëmbjen e ekonomisë, përmes intervenimeve financiare mikse (garanci për kredi, grante) dhe të fuqishme, sidomos të sektoret si: turizmi dhe hoteleria, prodhimi e ndërtimi”, shkroi Rukiqi.

Fotografi: DW/V. Çerkini

Qeveria e Kosovës ka disa jave që ka përgatitur një pako ndihmëse për të goditurit financiarisht për shkak të mbylljes nga Covid-19. Sipas kryeministrit në detyrë Albin Kurti, masa e Pakos Fiskale Emergjente, është dizajnuar për të arritur disa qëllime: "të ofrojë ndihmë financiare shtesë për shtresat më të varfra të shoqërisë pas pandemisë COVID-19 të ndihmojë bizneset në mbulimin e shpenzimeve operative në mënyrë që të sigurohet një pagë minimale për të gjithë punëtorët gjatë situatës emergjente, si dhe të sigurohet se bizneset kanë mundësi të vazhdojnë veprimtarinë gjatë dhe pas tejkalimit të situatës emergjente”. Për fazën e parë të ndihmës qeveria ka ndarë rreth 170 euro.