1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Investim gjermano-izraelit në energjetikë

Bekim Shehu
28 Janar 2019

SOWI Kosova, është kompania gjermano-izraelite që planifikon të investojë 169 milionë euro në turbina eolike. Ky është investimi direkt i jashtëm më i madhi në Kosovën e pasluftës.

Pristina Haupstadt Kosovo
Fotografi: DW

169 milionë euro është vlera që pritet të investohet në Kosovë në prodhimin e energjisë së rigjenereushme nga era. Ky investim pritet të bëhet nga një kompani gjermano-izraelite në partneritet me Kosovën, e njohur me emrin SOWIKosova. Lajmi u bë i ditur nga vet kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas një takimi (28.01) të Këshillit Ndërministror për Investime Strategjike, ku u vlerësua se kompania gjermano-izraelite ka plotësuar kriteret teknike të parapara për investime strategjike.

"Kosova ka vënë në fuqi Ligjin për Investime Strategjike dhe ka vendosur procedura të tjera të nevojshme të parashikuara që të mund të hyjë në marrëdhënie të tilla me investitorët strategjik. Kjo është historia, është nisja jonë me investitorin e parë strategjik”, tha kryeministri Ramush Haradinaj, duke falënderuar edhe qeverinë e shkuar për punën e bërë në ligjin për investimet strategjike.

"Dëshiroj të falënderoj qeverinë Mustafa që ka kryer detyrat e asaj kohe për punën që e kanë bërë. Nga sot mund të themi që filloi historia. Po fillojmë me investitorët strategjik, me partnerët, me investime, dhe është shumë me rëndësi të theksojmë se një kompani gjermano-izraelite SOWI Kosova LL.C., i ka përmbushur parametrat e parë për shqyrtim", Haradinaj theksoi shpresën, se së shpejti në qeveri do të ketë propozimin për ta përkrahur atë në realizimin e investimit.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, nga ana e tij tha, se investimi prej 169 milion eurosh në energjinë e ripërtëritshme të erës është investimi i huaj direkt më i madhi në Kosovën e pasluftës.

"Investitori i parë strategjik i ka përmbushur kriteret teknike për të kaluar në fazën tjetër të vlerësimit nga ana e grupit operacional, që u themelua sot me vendim të grupit ndërministror. Subjekti aplikues "SOWI Kosovo LLC" planifikon të investojë 169 milionë euro në ndërtimin e parkut me erë në Komunën e Mitrovicës. Ky është investimi më i madh direkt në Kosovë që nga pas lufta, i realizuar në fushën e investimeve në energji alternative”, tha ministri Endrit Shala.

Sipas tij, nga kompani të ndryshme dhe për investime në fusha të ndryshme deri tash ka pasur 12 aplikime që kapin vlerën e afër 2 miliardë eurosh. E gjithë kjo po mundësohet pasi Kosova tashmë ka igjin për Investime Strategjike.

Nga investimi prej 169 milion eurosh në energjinë e rigjenerueshme të erës nga kompania gjermano-izraelite, parashikohet ndërtimi i 30 turbinave eolike që do të prodhojnë 105 megavat energji elektrike. Një investim më i vogël në turbinat me erë me kapacitet prej 32 megavat u bë nga një kompani turke edhe vitin e shkuar në Kosovë. E ndërkaq, vitin e ardhshëm Kosova planifikon ndërtimin e termocentralit të ri me kapacitet mbi 500 megavat, ku parashihet investim i jashtëm në vlerë deri në 1.3 miliard euro. Ky projekt vazhdon të kritikohet nga ambientalistët, të cilët vazhdojnë të këmbëngulin që Kosova duhet të krijojë kushtet në prodhimin e energjisë së rigjenerueshme, e jo në termocentrale që ndotin mjedisin.