1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Konfirmohen dy rastet e para me virusin Corona

Bekim Shehu
14 Mars 2020

Dy të prekurit në Kosovë nga (Covid-19) janë një 20 vjeçare, shtetase italiane dhe një shtetas i Kosovës  i moshës 77 vjeçare.

Brasilien Coronavirus
Fotografi: AFP/C. De Souza

Dy raste me virusi Corona (Covid-19) u konfirmuan edhe në Kosovë u bë e ditur në një konferencë të jashtëzakonshme (13.03) nga ministri i Shendetësisë, Arben Vitia. Të prekurit nga Covid-19 janë "një 20 vjeçare, shtetase italiane dhe një shtetas i Kosovës i moshës 77 vjeçare”. Të prekurit janë të shtruar në Klinikën Infektive të Kosovës, ndërsa, gjendja e tyre tash për tash sipas mjekëve është e stabilizuar. Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia,  tha se Instituti i Shëndetit Publik tashmë  ka filluar "gjurmimin e të gjitha kontakteve të dy pacientëve dhe janë marrë të gjitha masat e izolimit dhe vetkarantimit të personave, me të cilët kanë qenë në kontakt të prekurit me virusin.

"Komiteti për Koordinimin dhe Vlerësimin e Situatës me virusin Corona, Covid-19, është vazhdimisht në detyrë për të diskutuar dhe rekomanduar masat përkatëse, konform situatës së re të parashikuara edhe në Planin e Veprimit”, tha ministri Arben Vitia.

Kosova ndër masat kundër virusit Covid-19 ka ndërprerë mësimin në shkolla në të gjitha nivelet dhe ka ndaluar tubimet publike, ndërsa, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pas konfirmimit të dy rasteve me Covid-19, bëri thirrje për kujdes dhe shmangien e hapësirave publike.

"I ftoj qytetarët për qetësi, që të mos bëjnë panik dhe të mos paraqiten në Klinikën Infektive nëse nuk kanë shenja të sëmundjes. Ministria e Shëndetësisë e ka vënë në dispozicion linjën telefonike për informim e këshillim në të cilën mund të thërrasin të gjithë ata tek të cilët mund të shfaqen simptoma të dyshimta për sëmundje akute të frymëmarrjes dhe historik të udhëtimit në zonë ose territor që raporton sëmundjen me COVID-19 gjatë 14 ditëve para fillimit të simptomave. Ftohen të gjithë qytetarët që pa panik, por me kujdes të shtuar t'iu përmbahen udhëzimeve dhe masave parandaluese të rekomanduara nga institucionet shëndetësore, si dhe të gjitha masave të shpallura nga qeveria e Kosovës”, tha kryeministri Kurti.

Në kuadër të masave të tjera, Kosova ka pezulluar linjat ajrore dhe tokësore me Gjermaninë, Zvicrën, Francën dhe Italinë, ndërsa, po shqyrton mundësinë e mbylljes së pjesshme të kufijve të Kosovës.