1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Kurti ftohet si dëshmitar në Prokurorinë Speciale

11 Dhjetor 2024

Prokuroria Speciale e Kosovës ftoi në cilësinë e dëshmitarit kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë së Kosovës.

Fotografi portret i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me flamurin e Kosovës në sfond
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti Fotografi: Armend Nimani/AFP

Prokuroria Speciale i ka dërguar një thirrje kryeministrit Albin Kurti për t'u paraqitur më 16 dhjetor, vuri në dukje zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu të mërkurën (11.12.2024) vonë, por pa dhënë hollësi të tjera rreth thirrjes, raporton korrespondenti i Deutshe Welle-s në Prishtinë.

Kritikë e zëdhënësit qeveritar: Thirrja "ndërhyrje në procesin zgjedhor"

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës shkruan në facebook, se "teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet e vitit 2025, nga kryeministria më njoftuan se ka ardhur një ftesë për të nga Prokuroria Speciale”. Lajmit në facebook, zëdhënësi Kryeziu i bashkoi edhe ftesën e prokurorisë ku thuhet se kryeministri është thirrur të dëshmojë në një rast që lidhet me veprën penale të parashikuar në nenin 414 të Kodit Penal të Kosovës. Me anë të këtij neni sanksionohen veprat penale që kanë të bëjnë me "keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”. Zëdhënësi i qeverisë ishte kritik ndaj sistemit të drejtësisë dhe ftesën e Prokurorisë Speciale e ndërlidhi me, siҫ shkruan, “ndërhyrje në procesin zgjedhor”.  "Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor, i cili ia kishte pamundësuar zotit Kurti kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tani përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2025”, shkruan Kryeziu në facebook. Kryeministri Albin Kurti, ende nuk e ka komentuar ftesën për të nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Njohës të drejtësisë: "Rasti mund të ketë lidhje me një proces rreth 'rezervave shtetërore'"

Tash për tash Prokuroria Speciale nuk ka dhënë ende detaje se për ҫfarë dyshimesh për vepër penale është ftuar të dëshmojë kryeministri Kurti, por njohës të sistemit të drejtësisë, duke u bazuar në numrin e protokollit të ftesës për Kurtin, PPSnr. 62/2023, thonë se rasti ka të bëjë me një proces rreth "rezervave shtetërore”. Në gusht të vitit të shkuar për këtë rast ishin arrestuar tre persona, dy nga të cilët punonjës të Ministrisë së Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë së qeverisë Kurti. Kryeministri Albin Kurti në atë kohë mohonte akuzat dhe u vu në mbrojtje të njerëzve që punonin në Ministrinë e Industrisë Sipërmarrjes dhe Tregtisë, ndërsa akuzonte "elitën e vjetër dhe të korruptuar politike, gjykatësit e prokurorët”.