1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Kurban Bajrami në hije nga Corona

3 Gusht 2020

Pandemia po e mban në ngërç Kosovën. Numri i infeksioneve të reja është rritur në përmasa shqetësuese. Për këtë arsye traditat e festës së Kurban Bajramit u ndryshuan këtë fundjavë.

Opferfest im Kosovo
Xhamia e FerizajtFotografi: DW/Vjosa Çerkini

Si çdo vit, Saranda Jahiri përgatiti një bakllava të madhe dhe shumë ëmbësira të tjera për festën e Kurban Bajramit. Festa e Kurban Bajramit, është më e rëndësishjma në Islam, është një festë e madhe familjare. Besimtarët e festojnë atë me ushqime të posaçme si dhe duke shkëmbyer vizita me të afërmit dhe miqtë. Kjo është pjesë identifikuese e traditës së festës. Por këtë herë e gjithë kjo zhvillohet vetëm në një rreth shumë të ngushtë familjar. "Këtë festë ta presësh pa të afërm dhe mysafirë, dhe vetëm në shtëpi me familjen, është e pazakontë për mua", thotë Saranda.

Nuk është e lehtë për të dhe familjen e saj, por ajo është e bindur, se "ne mund të mbrohemi vetëm me sjellje sipas rregullave. Jeta e njerëzve është një prioritet absolut", thotë Saranda.

Familja Jahiri duke festuar Kurban BajraminFotografi: DW/Vjosa Çerkini

Por jo të gjithë prej afërsisht 1.8 milionë banorë ve të Kosovës, të cilët janë 95% myslimanë, mendojnë në këtë mënyrë. Shumë njerëz mblidhen në mënyrë të pakujdesshme në familje, parqe apo vende të tjera pa menduar për masa mbrojtëse dhe pa respektuar distancën e nevojshme fizike.

Sipas ekspertëve, kjo mund të jetë arsyeja e rritjes së shpejtë të numrit të infeksioneve të reja në Kosovë në javët dhe ditët e fundit. Teoritë konspirative në lidhje me virusin Corona po përhapen gjithashtu, dhe madje edhe disa figura publike pretendojnë se virusi nuk ekziston.

Situata është shumë dramatike, thotë për DW Ilir Tolaj, specialist i sëmundjeve infektive: "Virusi është aty dhe sigurisht që ekziston, dhe natyrisht që ekziston mundësia që njerëzit të infektohen edhe nga ata persona që nuk kanë simptoma. Gjysma e atyre që testohen çdo ditë aktualisht rezultojnë pozitiv, gjë që tregon një situatë jashtëzakonisht të rëndë dhe një tendencë jashtëzakonisht në rritje të personave të infektuar në Kosovë. Numri i vdekjeve, mbi 30 gjatë dy ditëve të kaluara, tregon se sa serioze dhe jashtëzakonisht alarmante dhe shqetësuese është situata ", thotë Tolaj.

Shifra dramatike dhe vendime të dhimbshme

Sipas statistikave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, që nga rastet e para të të infektuarëve me COVID-19 në Mars deri në 02 Gusht 2020, 8.799 persona janë infektuar me virus, 249 njerëz kanë vdekur dhe 4.963 vetë janë kuruar plotësisht prej virusit. 3.687 persona konsiderohen raste aktive të infeksionit koronavirus. Vetëm gjatë fundjavës u shënuan rreth 240 raste të reja të infeksionit dhe kishte rreth 13 vdekje. Në korrik pati mbi 140 të vdekur prej virusit COVID-19.

Kryeministri kosovar Avdullah HotiFotografi: DW/A. Bajrami

Si rrjedhojë qeveria vendosi të ndalojë pjesëmarrjen fizike të qytetarëve në të gjitha ceremonitë dhe aktivitetet fetare në lidhje me festën e Kurban Bajramit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Lutja në mëngjes e anëtarëve meshkuj të familjes është një ritual i festës së Kurban Bajramit. Por sivjet të gjitha xhamitë qendruan të mbyllura dhe nën kontrollin e policisë, në mënyrë që askush të mos hynte në to.

Bashkësia Islame e Kosovës respektoi vendimin e institucioneve kosovare dhe vendosi t‘i mbyllë xhamitë për një periudhë prej 10 ditësh derisa të përmirësohet situata.

"Bashkësia islame si institucion ishte i detyruar të ndërmarrë një hap të tillë, një vendim të tillë. Ishte një vendim shumë i dhimbshëm dhe shumë i vështirë, por i domosdoshëm për të shpëtuar jetë, sepse është një rrezik për njerëzit ", tha për DW zëdhënësi i zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Afrim Sadriu.

Besimtarët urojnë njëri-tjetrin përmes platformave në internet

Saranda dhe burri i saj Besnik Jahiri mbajtën kontakte me miqtë dhe të afërmit përmes mediave sociale gjatë festës:"Në mënyrë që të mbrojmë të dashurit tanë dhe veten nga ky virus dhe në një farë mënyre të festojmë, ne kemi qenë në kontakt me të afërmit dhe miqtë tanë vetëm përmes rrjeteve sociale. Është e vështirë që festën e kemi pasur pa vizita, të mbyllur dhe pa pasur mundësi që të kryejmëritin e faljes  për Bajramin, por kjo është mëse e nevojshme ”, thotë Besnik Jahiri.

Njerëzit në Kosovë arritën disi të gjejnë mënyrën për ta kremtuar ndryshe sivjet gjatë festës së Kurban Bajramit duke hequr dorë nga tradita e grumbullimeve së bashku për të mbrojtur të tjerët dhe vetvehten.

Mbetet tani imperativ dhe sfidë e politikës ta menaxhojë situatën e vështirë me të cilën do të përballet Kosova në javët dhe muajt e ardhshëm. Se si doë të jenë masat e qeverisë për më tej ende nuk është e qartë. Ndërkohë që edhe vet kryeministri kosovar Avdullah Hoti rezultoi pozitiv me Covid-19. Për këtë arsye punët e qeverisë në ditët e ardhshme ai do t'i drejtojë nga shtëpia në vetë-karantinë.