1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Kushtetuesja e shpall qeverinë Hoti antikushtetuese

Bekim Shehu
21 Dhjetor 2020

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, Kosova shkon në zgjedhje të reja.

Kosovo, Pristina: Avdullah Hoti
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Nimani

Gjykata Kushtetuese me një vendim të saj, e shpalli të pavlefshëm votimin e qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti. Po ashtu Gjykata në vendimin e saj thotë, se zgjedhjet e reja duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre. Këtë vendim Gjykata Kushtetuese e mori pas ankesës që lëvizja Vetëvendosje e bëri, duke kërkuar interpretim për votën e një deputeti nga radhët e pakicave, i cili ishte i dënuar me vendim të prerë të Gjykatës. Vota e deputetit Ethem Arifi ishte vota e 61 që ia mundësoi Avdullah Hotit të zgjidhet kryeministër i Kosovës. 

"Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 (Zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës, sepse qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës", thuhet në vendim të Gjykatës Kushtetuese. Më tej thuhet se,"marrë parasysh se qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 (Zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 (Zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre", thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese që mban datën 21 dhjetor 2020.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke interpretuar pikërisht votën e deputetit Arifi, që ishte i dënuar për korrupsion, thuhet se "asnjë person që është i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës". Gjykata Kushtetuese thotë, se Qeveria Hoti do të mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e një ekzekutivi të ri.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti, u votua më 3 qershor, pas rrëzimit të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, që në zgjedhjet e fundit doli partia e parë. Qeveria Kurti u rrëzua me një mocion  mosbesimi që u ngrit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që ishte partner i koalicionit me Vetëvendosjen.