1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kushtetuesja në Kosovë: Kuvendi nuk është konsituuar

30 Shtator 2025

Kushtetuesja urdhëroi deputetët e Kuvendit të Kosovës që konstituimi i Kuvendit duhet të përfundojë brenda 12 ditëve. Konstituimi i kuvendit përmbyllet me zgjedhjen edhe të nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Salla plenare e Parlamentit të Kosovës me deputetët e ulur në sallë dhe në pultin e referuesit flet kryetari i parlamentit Dimal Basha.
Parlamenti i Kosovës sipas Gjykatës Kushtetuese konsideorhet i konstituuar vetëm pasi të jetë zgjedhur edhe nënkryetari nga radhët e komunitetit serb. Fotografi: Agim Sulaj/Anadolu/picture alliance

Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendim të martën (30.09.2025) që seanca konstituive e kuvendit, e nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar, dhe që ajo duhet të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të saj të 30 shtatorit. Në këtë mënyrë Kuvendi i Kosovës ende nuk cilësohet i konstituuar, ndonëse kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, e pati shpallur të konstituar atë.

Gjykata Kushtetuesekonstatimin e saj për moskonstituim të kuvendit e arsyeton, se "nuk është zgjedhur nënkryetari i kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb”. "Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, dhe kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës", thuhet në njoftim.

"Deputetët të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues"

Në këtë linjë Gjykata Kushtetuese urdhëron deputetët që "në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit".

Vendimi datës 30 shtator i Gjykatës Kushtetuese u mor pas ankesës së partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Listës Srpska, që nuk u pajtua me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e pakicave. Lista Srpska pati deklaruar se kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, nuk ka vepruar në mënyrë të drejtë kur e ka shpallur kuvendin të konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetari serb.

Partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, e pati kritikuar ashpër masën e përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese. Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati thënë, se "bllokimi i kuvendit për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga pakica serbe, përderisa Kryesia e Kuvendit ka kuorum, do t'i cenonte në mënyrë serioze themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti”.Që nga 9 shkurti i këtij viti, kur në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet parlamentare, vendi vazhdon të mos i ketë institucionet e reja.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW