Kosovë: Kushtetuta në tetor
15 Shtator 2007
Kosova do ta ketë draftin përfundimtar të kushtetutës më së largu në fund të muajit të tetor. Kushtetuta e Kosovës garanton në mënyrë të barabatë të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj. Kështu premton presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili thotë se kushtetuta e
Kosovës do të plotësojë të gjitha standardet ndërkombëtare të ndërtuara mbi shumë pika të parapara edhe në planin e statusit të ndërmjetësit ndërkombëtar, Marti Ahtisari.
Plani i Marti Ahtisarit, të cilin autoritetet kosovare e mbështesin plotësisht rekomandonte që Kosova të ketë kushtetutën e saj, para vendimit për të ardhmën e Kosovës. Mirëpo, gjërat paksa u komplikuan ku plani i Marti Ahtisarit nuk u hodh në votim në KS-it, nga rreziku se federata ruse, do të përdorte veton dhe do të pengonte miratimin e një rezolute nga KS-it, mbi bazën e planit të Ahtisarit e cila do t'i garantonte Kosovës një pavarësi të mbikqyrur. Mirëpo, megjithatë autoritetet kosovare vazhdojnë t'i përmbahen një
axhende të paraparë më herët dhe janë të vendosur që ta bëjnë kushtetutën e Kosovës deri në fund të këtij viti.
Një pengëse në punën për hartimin e kushtetutës së Kosovës paraqet mospjesmarrja e përfaqësuesve të komunitetit serb në komision. Përfaqësuesit serbë kanë kanë refuzuar të marrin pjesë në komision për faktin që thonë ata Kosova akoma administrohet nga rezoluta
1244 e KS-it, dhe mbi këtë bazë Kosovën ashtu si rezoluta e cilësojnë pjesë të Serbisë. Hajredin Kuqi, kryetar i komisionit për hartimin e kushtetutës, thotë se mospjesmarrja e serbëve në komision paraqet pengesë, megjithatë sipas tij, komisioni do
të kryejë punën.
Sidoqoftë, ka shumë punë që autoritet kosovare duhet të përfundojnë për një kohë shumë të shkurtër, të bindur se fundi i vitit do të shënojë edhe vendimin për të ardhmën e Kosovës. Ndër çështjet më të
rëndësishme janë kushtetuta dhe simbolet e Kosovës që do ta identifikonin vendin në arenën ndërkombëtare. Të dy këto çështje rekomandohen në pakon e Marti Ahtisarit, mirëpo, legjitimiteti i tyre do të vendoset vetëm nga i ngarkuari i BE-së, i cili do të kryesojë
misionin e unionit pas zgjidhjes së statusit të Kosovës.