1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Mbrojtja e infrastrukturës pas shpërthimit në veri

30 Nëntor 2024

Kosova akuzon Serbinë për sulmin, duke theksuar, se ka synuar të dëmtojë infrastrukturën më të rëndësishme. Serbia e mohon përfshirjen në shpërthimin në Ibër Lepenc.

Shihen në errësirë dëmtimet e kanalit të Ibër Lepencit pas shpërthimit
Dëmtimi i kanalit të Ibër-Lepencit në KosovëFotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

Në një mbledhje të jashtëzakonshme të shtunën (30.11. )Këshilli i Sigurisë së Kosovës, miratoi masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve vitale, pas shpërthimit të natës së shkuar që dëmtoi kanalin me ujë të Ibër Lepencit që vjen nga liqeni i Ujmanit në veri. Ky kanal furnizon me ujë disa qytete dhe termocentralet e vendit.

Policia e Kosovës pas sulmit ka ndërmarrë një operacion kontrolli në shkallë të gjerë në veri të vendit me bastisje nëpër lokacione të ndryshme në kuadër të hetimit për shpërthimin në Ibër Lepenc. Sipas ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, për shpërthimin në kanal janë përdorur 15 kg lëndë shpërthyese duke shkaktuar një ҫarje të madhe në kanal dhe rrjedhje uji.       

Autoritetet verifikojnë dëmetFotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

Këshilli i Sigurisë së Kosovës: Orkestrimi nga Serbia

Në një komunikatë për medie të Këshillit të Sigurisë thuhet se, "indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste "Mbrojtja Civile” e "Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Milan Radoiçiq nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste”, thuhet në komunikatë.

Sipas Këshillit të Sigurisë në mbledhjen e jashtëzakonshme u vu në pah "ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit”.

Albin KurtiFotografi: Armend Nimani/AFP

Masa shtesë për sigurinë

Në Këshill u diskutuan edhe masat emergjente që janë marrë dhe po ndërmerren për të zbutur pasojat e sulmit. Po ashtu rëndësi e madhe po i kushtohet garantimit të sigurisë së infrastrukturës kritike në vend. Autoritetet e Kosovës kanë siguruar qytetarët se furnizimi me ujë dhe energji elektrike do të rregullohet shpejt.

Këshilli i Sigurisë ka aprovuar edhe masa shtesë për të forcuar sigurinë e infrastrukturës kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Këshilli ka kërkuar që Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës të aktivizohen në terren për këtë qëllim. "Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen”, thuhet në komunikatën e Këshillit të Sigurisë.

Serbia mohon përfshirjen në sulm

Pas konstatimeve të Këshillit të Sigurisë dhe deklaratave të kryeministrit, Albin Kurti se "Serbia është përgjegjëse për sulm kriminal dhe terrorist që ka synuar ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme të Kosovës”, autoritetet e Serbisë e mohuan përfshirjen në shpërthimin në Ibër Lepenc. Serbia dënoi zyrtarisht “shpërthimin si të papranueshëm dhe të patolerueshëm, i cili në mënyrën më të drejtpërdrejtë rrezikon nevojat themelore jetësore të popullit serb në Kosovë”.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, i hodhi poshtë pretendimet e Kurtit, duke thënë se "derisa regjimi etnonacionalist i Kurtit është nxituar ta drejtojë gishtin drejt Beogradit pa prova, ne besojmë se akuza të tilla të parakohshme janë një devijim i qëllimshëm, që potencialisht mund të tregojë përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit në këtë sulm”.

Gjuriq kërkon që të mbahen përgjegjës autorët e këtij sulmi dhe se "Serbia është e gatshme të ndihmojë në riparimin e dëmeve ndaj kanalit qoftë financiarisht apo teknikisht”. "Serbia dënon me termat më të ashpra sulmin e fundit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit. Ky akt sabotimi thellësisht shqetësues rrezikon jetët dhe mirëqenien e shumë njerëzve në rajon”, shkroi Marko Gjuriq në platformën X.

Reagime ndërkombëtare pas sulmit

Shpërthimi ndaj kanalit në Ibër Lepenc e dënua me termat më të fuqishëm edhe autoritetet ndërkombëtare. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, tha se "ky sulm prek të gjitha komunitetet në mbarë Kosovën. "Bëjmë  thirrje për hetim të plotë dhe vënien e autorëve para drejtësisë. Gjermania është e gatshme të mbështesë autoritetet kosovare”, shkroi Rohde.

Seri sulmesh në veriun e Kosovës në 72-orët e fundit - Dëmtimet pas sulmit me granata doreFotografi: Press office of the Kosovo Police

Ambasadori amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier tha se tha se "SHBA-të janë duke e përcjellë situatën nga afër dhe do ta mbështetin hetimin gjithëpërfshirës”. "Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin-Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës. Ne jemi duke e monitoruar situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”, shkroi Hovenier.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, tha se "kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë”. "Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cenon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian”, shkroi Rama duke kërkuar nga BE-ja që të “heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tha se tashmë "është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e kryeqytetit, Prishtinë”.

Shpërthimi i së premtes në mbrëmje në kanalin Ibër Lepenc, është i treti brenda 72 orëve në veriun Kosovës, ku u hodhën edhe dy granata dore në një stacion policie dhe në ndërtesën e komunës së Zveçanit. Pasoja në njerëz nuk ka pasur.