1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Në mars nis heqja pjesërisht e tarifës ndaj Serbisë

Bekim Shehu
27 Shkurt 2020

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti heq tarifën 100% për lëndët e para që vijnë nga Serbia dhe i jep afat dy javë Serbisë që të reflektojë, në të kundërtën me një prill, aplikon reciprocitet të plotë me Serbinë.

Kosovo erhöht Einfuhrzölle - Grenze zu Serbien
Fotografi: Getty Images/C. Koall

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi, se tarifa 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës do të hiqet nga data 15 mars vetëm për importet e lëndëve të para që vijnë nga Serbia. E nëse brenda dy javësh nga data 15 mars deri me një prill Serbia zotohet se e ndërpret fushatën për anulimin e njohjeve të shtetit të Kosovës dhe heq barrierat tregtare për mallrat e Kosovës, atëherë, Kosova do ta heqë tërësisht tarifën 100% ndaj mallrave të Serbisë, për një periudhë 90 ditore. Këtë vendim kryeministri Albin Kurti e bëri publik në një konferencë të jashtëzakonshme për medie në orët e mbrëmjes së të enjten (27.02), duke e cilësuar vendimin e tij si një shenjë të vullnetit të mirë dhe gatishmërisë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes ekonomike me Serbinë. Kurti kërkon që vendimi i tij të vlerësohet edhe nga Bashkimi Evropian dhe qëndrimin e tij e rendit në disa pika.

"Bashkimi Evropian ta vlerësojë lartë vendimin e qeverisë për të larguar tarifën 100 për qind duke ofruar liberalizimin e vizave para samitit të Zagrebit më 7 maj 2020. Në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin për eliminim e barrierave dhe nuk pushon fushatën për çnjohje, atëherë Kosova me 1 prill do të nisë me masën e reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë. Nëse pala serbe nuk reflekton, Qeveria e Kosovës më 15 qershor do ta rikthejë tarifën 100 për qind”, deklaroi kryeministri Albin Kurti.

Si duket kjo javë ka qenë javë e vështirë për partnerët e koalicionit qeverisës Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Partnerët e koalicionit kanë mosëmarrëveshje për menyrën e heqjes së tarifës dhe vendosjen e reciprocitetit me Serbinë. Zëvëndëskryemintri i parë i qeverisë së Kosovës Avdullah Hoti që vjen nga LDK, vetëm dy orë para konferencës së Kurtit dekaroi se "Qeveria e Kosovës duhet të heqë tarifën famoze dhe kështu të ulet si e barabartë dhe me miqtë e saj në tryezën e Dialogut”.

"Përfshirja amerikane në dialog e ka ndryshuar dinamikën e negociimit. Qendrim i Sekretarit Pompeo dhe angazhimet e ambasadorit Grenell se sovraniteti i Republikës së Kosovës është tepër i rëdësishem për të ardhmen e rajonit dhe se Marrëveshja për Paqe mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rezultojë me njohjen reciproke, janë garanci për pozitën tonë negociuese dhe synimet tona në këtë dialog”, deklaroi Avdullah Hoti. Sipas tij, "tarifa mbi mallrat serbe dhe boshnjake është pengesë e pa kapërcyeshme për komunitetin ndërkombëtar, SHBA dhe BE.

"Çdo shtyrje për heqjen e tarifës kompromenton seriozisht pozitën tonë negociuse në këtë dialog, dëmton raportin tonë me SHBA dhe BE, si dhe rrezikon një izolim për qeverinë dhe vendin. Asnjë masë e jona e njëanëshme nuk mund të mbrojë apo avancojë pozitën tonë nëse ajo nuk mbështetet nga SHBA dhe BE”, deklaroi Hoti.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, pas një takimi që zhvilloi me Presidentin e Kosovës në Uashington, deklaroi se ai "pret që Kosova të heqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe të shfrytëzojë momentin e krijuar pas nënshkrimit të dokumenteve për krijimin e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe tokësore midis Prishtinës dhe Beogradit”.

Menjëherë pas vendimit të kryeministrit Kurti që nga 15 marsi ta heqë pjesërisht tarifën ndaj mallrave të Serbisë, reagoi edhe ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, qeveria e të cilit në nëntor të vitit 2018, vendosi tarifë 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës.

"Sonte Albin Mashtruesi u dorëzua para Serbisë. Ky është fillimi i kthimit të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë. Albin Mashtruesi nga sot je përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj!”, shkroi në profilin e tij social Ramush Haradinaj, partia e të cilit po mbledh nënshkrimet e deputetëve për një seancë të jashtëzakonshme për tarifën.

Gjatë ditës nga ana tjetër, i vetëdijshëm se Prishtina pas një presioni ndërkombëtar do ta heqë tarifën ndaj mallrave të Serbisë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se "pas heqjes së tarifës nga Kosova, ai pret një presion të jashtëzakonshëm ndaj Serbisë dhe se është çështje kohe përpara se nga Serbia do të kërkohet që de facto ose de jure ta njohë Kosovën, me qëllimin për ta anëtarësuar Kosovën në OKB.

"Qëllimi i tyre është ta anëtarësojnë Kosovën në Kombet e Bashkuara dhe ky është thelbi i gjithçkaje. Kjo është ajo që duhet të presim. Çështja është se kur do të ndodhë, nëse në tre muaj, gjashtë muaj, apo një vit”, citojnë mediet në Serbi presidentin Aleksandër Vuciq.

Si duket presioni ndërkombëtar ndaj Kosovës për heqjen e tarifës ndaj mallrave të Serbisë, ka bindur edhe komunitetin e biznesit që kjo duhet të ndodhë herët e vonë, me synimin për një relacion më të mirë të marrëdhënieve tregtare Kosovë-Serbi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi, në një editorial të tij e ka arsyetuar se pse Kosova duhet ta heqë tarifën ndaj prdukteve të Serbisë. Sipas tij, "në hulumtimet e ndryshme me komunitetin e biznesit, mbi 60% e bizneseve që operojnë në vend, kanë deklaruar që janë në favor të një marrëveshjeje me Serbinë, që përfundimisht normalizon marrëdheniet me Kosovën.

"Kjo përkrahje e komunitetit të biznesit për një process politik të rëndësishëm për vendin, derivon nga bindja e thellë që eksziston te kompanitë e ndryshme në Kosovë, që një përmbyllje e dialogut dhe një marrëveshje me Serbinë, do të krijojë kushte, që institucionet tona përfundimisht të fokusohen në politika të zhvillimit dhe mirëqenies dhe shmang çdo pretekst për dështimet e vazhdueshme në politikat ekonomike dhe atraktivitetin e vendit për të nxitur investime, eksport dhe punësim”, shkuan kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, duke theksuar, se "atraktiviteti i vendit për investime nga brenda dhe nga jashtë varet nga stabiliteti politik. "Çdo ngecje në dialog, çdo perspektivë e konflikteve të ngrira apo vazhdimit të status quo-së, do të këtë implikime afatgjata në mundësitë për të tërhehqur investime, në shkallën që është e nevojshme për gjenerim të punësimit dhe zhvillimit të qendrueshëm”, thotë Rukiqi.