1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Ndalimqarkullimi në komunat më të mëdha

Bekim Shehu
12 Nëntor 2020

Situata e pandemisë në Kosovën me 1.7 milionë banorë është rënduar së tepërmi sidomos në dhjetë ditët e fundit, ku pothuaj çdo ditë po shënohen mbi 600 raste të reja me koronavirus.

Kosovo | Stadtansichten aus Pristina
Fotografi: DW/V. Çerkini

Nga dita e premte në këtë fundjavë, Kosova përfshihet nën masat e ashpra të izolimit dhe kufizimit të lirisë së lëvizjes për shkak të numrit shumë të madh në rritje të infektimeve dhe rasteve me fatalitet nga pandemia Covid-19. Masat e reja u prezantuan nga kryeministri Avdullah Hoti, ku rajonet e Kosovës ndahen në tri zona: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët. Sipas kryeministrit Hoti, situata me pandeminë në Kosovë është tepër e rëndë.

Hoti: Situata krahasohet me luftën

"Pesëdhjetë për qind nga testimet dalin pozitivë dhe fatkeqësisht edhe numri i rasteve fatale është në rritje. Projeksionet janë mjaft pesimiste dhe shqetësuese që ka bërë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Duhet të kujdesemi që të ndalohet kjo, të menaxhojmë situatën dhe t'ia mundësojmë stafit shëndetësor të kenë mundësinë të përballojnë fluksin e atyre që kanë nevojë për shërbime shëndetësore, ndryshe e kemi të pamundur të përballojmë këtë situatë”, tha Hoti. Sipas tij, "kjo situatë krahasohet vetëm me luftën”. "Është kohë lufte. Kërkojmë mirëkuptimin e secilit. Nuk mund ta mbyllin shtetin komplet pasi do të ishte fatale, por masat do të na çojnë për një javë në shifra më të mira”, tha Hoti.

Fotografi: DW/A. Bajrami

Komunat me rrezik të lartë të infeksionit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik konsiderohen ato që kanë mbi 150 persona të infektuar në 100.000. Këtu u përfshinë shtatë komuna, ajo e Prishtinës, Podujevës, Ferizajt, Gjakovës, Gjilanit, Pejës dhe Mitrovicës. Në këto komuna nga ora 19:00 deri në 05:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve, pra do të ketë ndalim të qarkullimit, dhe ndalohen edhe hyrje daljet në këto komuna. Në komunat që hyjnë në zonën e gjelbër, që cilësohet rrezik i ulët, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00. Në këtë zonë hyjnë komuna e Istogut, Malishevës, Rahovecit, Skënderajt dhe Dragashit. Ndërsa, zona e portokalltë, apo rreziku mesatar, përfshihen komunat që kanë prej 76 deri në 149 persona të infektuar në 100.000 banorë. Operatorët ekonomik që bëjnë pjesë në këto komuna lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00.

Sipas kryeministrit Hoti, nëse këto masa nuk respektohen, atëherë ndëshkimet janë të ashpra. "Nëse një dyqan, nëse një qendër tregtare e të tjera nuk i zbaton masat me këtë vendim dhe masat e tjera, do të këtë mbyllje totale për ato biznese së paku për tre muaj. Nuk kemi zgjidhje tjetër jemi duke kaluar në situatën më të vështirë në 20 vjetët e fundit. Kjo situatë krahasohet vetëm me luftën”, tha kryeministri Hoti.

Fotografi: DW/V. Çerkini

Rrezikohen dëme të pariparueshme në ekonomi

Situata e rënduar nga pandemia dhe masat e qeverisë së Kosovës për mbyllje dhe kufizim të lirisë së lëvizjes, sipas njohësve të ekonomisë po dëmton bizneset gati në masën e pariparueshme. Kësaj situate po i kontribuon edhe politika kosovare, e cila nuk po arrin ta kalojë në lexim të dytë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike. Berat Rukiqi, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, vlerëson se, siç thotë "nëse nuk ka miratim të ligjit për rimëkëmbjen ekonomike dhe nëse vazhdohen të merren masa për menaxhimin e situatës me pandeminë, dëmet janë të pariparueshme. Sipas tij Oda Ekonomike e Kosovës kërkon nga Qeveria të miratojë një masë stimuluese shtesë përmes të cilës mundësohet që bizneset të kompensohen për një pjesë të shpenzimeve operative, përkatësisht pagat dhe qiratë”.

"Është e dukshme që bizneset kosovare po luftojnë për mbijetesë, e cila nuk është e mundshme pa ndërhyrjen e shtetit përmes vendimeve dhe mbështetjes konkrete. Prandaj, ju bëj apel të konsideroni me seriozitet të lartë gjendjen e sektorit privat sepse një veprim i shpejtë institucional është i domosdoshëm për shpëtimin e ekonomisë sonë”, thuhet në kërkesën e OEK.

Sidoqoftë, situata me pandeminë në Kosovë me 1.7 milionë banorë është rënduar sidomos në dhjetë ditëshin e fundit, ku pothuaj çdo 24 orë po shënohen mbi 600 raste të reja me koronavirus. Me rritjet e fundit të shifrave, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë shkon në mbi 25 mijë. Prej tyre, 773 pacientë deri tani kanë përfunduar me fatalitet.