Kosovë: Ngërçi politik vazhdon, zgjidhja nuk duket në sfond
10 Qershor 2025
Në Kosovë vazhdon ngërçi politik edhe katër muaj pas zgjedhjeve dhe zgjidhjet politike për ndonjë marrëveshje të mundshme nuk shihen në sfond. 29 herë deputetët u mblodhën në seanca parlamentare pa arritur që ta zgjedhin kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit, që do t'i hapte rrugë negociatave për formimin e qeverisë së re. Partitë politike opozitare të deritashme nuk po ia votojnë Lëvizjes Vetëvendosje kandidaten për kryetare Kuvendi Albulena Haxhiu. Vetëvendosja këmbëngul për këtë emër. Në këtë situatë të krijuar pa dalje, të gjitha partitë pa përjashtim përmendin mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
Vetëvendosja duhet të provojë opsione të ndryshme për dalje nga kriza
Analistët politikë përgjegjësinë për këtë ngërç politik dhe institucional e hedhin tek të gjitha partitë, ndonëse, thonë se Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit që doli partia e parë në zgjedhje ka përgjegjësinë më të madhe që të gjejë zgjidhje, meqë e vetme nuk mund të formojë institucionet e reja. Blerim Burjani, analist politik, i tha DW-së, se Vetëvendosja me 48 mandate të fituara duhet të provojë opsione të ndryshme për dalje nga kriza. "Asnjëra palë nuk mund të jetë komode në gjendjen e krijuar. Deputetët kanë mandat individual dhe po të kenë vullnet mund të reflektojnë për zgjidhje ose të rezistojnë edhe ndaj subjekteve të tyre, të gjejnë zgjidhje ose protestojnë në mënyrë individuale për gjendjen. Por, kjo po shihet se ata i mbesin besnik partive të tyre politike”, thotë Burjani duke vënë në pah se partitë politike po shohin vetëm interesat e tyre duke harruar votuesit.
Nuk përjashtohet mundësia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, tashmë shpalli datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale – 12 tetorin e këtij viti dhe nëse ngërçi politik për krijimin e Kuvendit të Kosovës vazhdon edhe dy muaj, atëherë sipas analistit Burjani, nuk përjashtohet mundësia që në të njëjtën datë me zgjedhjet lokale të mbahen edhe ato parlamentare të jashtëzakonshme. "Nëse deri në gusht vazhdon kështu pa zgjidhje, duhet të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme më 12 tetor së bashku me ato lokale. Kosova ka pasur dy palë zgjedhje të organizuara në vitin 2007, pra nuk e përjashtoj mundësinë që të shkohet në zgjedhje sërish. Ky rezultat zgjedhor i 9 shkurtit askujt nga partitë politike nuk i ka konvenuar – kjo po shihet. Vetëvendosja nuk arriti atë që dëshiroi në zgjedhje apo synimet që kishte. PDK, LDK e as AAK, pra askush nga këto parti nuk e arriti atë që dëshiroi. Edhe nëse krijohet një koalicion, ose duhet të jetë i qëndrueshëm që të zgjedhë edhe presidentin e shtetit pas një viti, ose nuk ia vlen që të ketë një qeveri njëvjeçare dhe Kosova të ketë një krizë të re që në prill të vitit të ardhshëm, kur skadon mandati i presidentes aktuale”, thotë Burjani.
E njëjta krizë edhe me zgjedhjet e reja?
"Kur llogaridhënia trajtohet si monolog kundër pushtetit, e jo si standard ndaj kujtdo që mban mandat publik, nuk po mbrohet demokracia, por komoditeti politik”, është i mendimit analisti tjetër, Eugen Cakolli, nga rrjeti i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim – mekanizëm ky që vazhdimisht monitoron proceset zgjedhore. Cakolli i jep rëndësi rolit të shoqërisë civile. "Nuk jemi këtu për të dekoruar retorikën e askujt. Ne flasim kur shteti ngec dhe kur përfaqësuesit politikë – pozitë apo opozitë – nuk ushtrojnë funksionet e tyre”, thotë Cakolli duke shtuar se "në një realitet pa shumicë, çdo refuzim sistematik i dialogut dhe i çdo formule zgjidhjeje është pjesë e bllokadës, pavarësisht pozitës që mban”. Sipas tij "edhe zgjedhjet e reja do të prodhojnë të njëjtën krizë”.
"Ideja që zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të mbahen në të njëjtën ditë është e papërgjegjshme dhe rrezikon të dëmtojë seriozisht cilësinë e procesit zgjedhor dhe përfaqësimit demokratik. Tri fletëvotime për çdo qytetar, tri nivele kandidatësh, procedura të ndërlikuara, komisionerë të papërgatitur, ngarkesë për trupat menaxhuese të zgjedhjeve, dy lloj fushatash – dhe mbi të gjitha, paqartësi e madhe për votuesin. Për më tepër, rriten gjasat për gabime ‘teknike', vota të pavlefshme, kontestime dhe rinumërime të gjata”, thotë Cakolli nga KDI. Sipas tij, "ky skenar nuk po shtyhet përpara sepse është i arsyeshëm, por sepse partitë politike, e sidomos partia e parë, po kërkojnë një ‘zgjidhje' për krizën që vetë e kanë krijuar”.
"Në vend që të merren vesh mbi bazën e mandatit të fituar më 9 shkurt, po orientohen drejt një formule që përzien dy procese të ndara, vetëm për të krijuar një rifillim artificial”, thotë Cakolli. Ai tërheq vërejtjen se nëse rezultati i zgjedhjeve parlamentare të ardhshme pritet të jetë përafërsisht i njëjtë, atëherë "kjo është thjesht një manovër për të zbutur tensionet dhe retorikën, për të larë vijat e kuqe, dhe për të justifikuar një bashkëpunim që sot po refuzohet”, thotw Eugen Cakolli.
Ambasadorët në Kosovë të vendeve më të industrializuara të QUINT-it disa herë kërkuan nga klasa politike në Kosovë që të gjejnë rrugë për formim të shpejtë të institucioneve. Sipas tyre, status quo-ja nuk i sjell dobi askujt.