1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: KQZ certifikon rezultatet e zgjedhjeve

8 Korrik 2026

Pas certifikimit të rezultatëve të zgjedhjeve në Kosovë: Nisin afatet kushtetuese për formimin e kuvendit, të qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

Ekipi i Komisionit Qendror të zgjedhjeve i mbledhur rreth tryezës në një mbledhje.
KQZ certifikoi rezultatin e zgjedhjeve në KosovëFotografi: Press office of the Kosovo Central Election Commission

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë certifikoi (08.07.2026) rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, që u mbajtën një muaj më parë, duke i hapur rrugë kështu konstituimit të kuvendit, formimit të qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit.

Zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit ishin të tretat që Kosova organizoi brenda një viti e gjysmë.Në bazë të rezultatit përfundimtar, Lëvizja Vetëvendosjee udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka siguruar 53 mandate në Kuvend. Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i ka fituar 22, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 18 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) shtatë vende. Lista Srpskasiguroi 9 ulëse, ndërsa pakicat e tjera 11 ulëse. Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare, Ligji për Zgjedhjet parashikon që ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, duhet të thërrasë seancën për konstituimin e Kuvendit, e cila duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga dita e certifikimit të rezultateve. Eugen Cakolli nga rrjeti i organizatave KDI, që monitorojnë vazhdimisht proceset zgjedhore, shpjegon procedurën e konstituimit të Kuvendit.

"Kryetari i Kuvendit propozohet nga LVV, si subjekti më i madh parlamentar, dhe zgjidhet me së paku 61 vota. Nëse i njëjti kandidat nuk i merr votat pas tri tentimeve, duhet të propozohet kandidat tjetër. Votimi për Kryetarin duhet të jetë i hapur, përveç nëse ka konsensus për ndryshim të mënyrës së votimit”, shpjegon Cakolli. Sipas tij, pas zgjedhjes së Kryetarit, Kuvendi vazhdon me zgjedhjen e pesë nënkryetarëve, tre nga të cilët propozohen nga tri subjektet më të mëdha parlamentare, LVV, PDK dhe LDK, një propozohet nga deputetët e komunitetit serb, ndërsa një nga deputetët e komuniteteve të tjera jo-shumicë. Në këtë mënyrë, Kuvendi i Kosovës konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë zgjedhur Kryetari dhe pesë nënkryetarët.

"Vetëm pas konstituimit të plotë të Kuvendit hapen dy procedura të ndara kushtetuese, ajo për formimin e Qeverisë dhe ajo për zgjedhjen e Presidentit. Këto procedura nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën dhe as Kushtetuta, as aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk e kushtëzojnë formimin e Qeverisë me zgjedhjen paraprake të Presidentit”, shpjegon Cakolli.

Duhet arritur konsensus për zgjedhjen e presidentit

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo që fitoi zgjedhjet e qershorit, thonë se ata, pas konstituimit të Kuvendit, i kanë votat e siguruara për formimin e qeverisë së re, ndërsa do të kërkojnë konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e presidentit. Për zgjedhjen e presidentes/it nevojitet prania në sallë e 2/3 të deputetëve në Kuvendin e Kosovës që i ka  120 vende. Sipas Kushtetutës së Kosovës dhe aktgjykimit të fundit të saj, presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit. E nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi automatikisht shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar më herët se sapo të certifikohet rezultati i zgjedhjeve, ai do të fillojë bisedimet për një marrëveshje të mundshme politike për zgjedhjen e presidentes/it. Që të arrihet një koalicion funksional për të siguruar zgjedhjen e presidentes/it, thirrje Albin Kurtit për një konsensus i bëri Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, i cili një ditë më parë (07.07.2026) ishte për vizitë në Kosovë, ku takoi të gjithë spektrin politik kosovar. "E inkurajoj kryeministrin Kurti të tregojë vizion shtetëror për të ndërtuar një koalicion funksional dhe për të siguruar zgjedhjen e presidentit. Kosovës i duhen institucione stabile për të avancuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, shkroi Terras në platformën X. Sipas tij, e ardhmja e Kosovës qëndron në Bashkimin Evropian, por anëtarësimi kërkon reforma.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW