1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Pjesëmarrje e ulët në raundin e balotazhit

9 Nëntor 2025

Në Kosovë u zhvilluan zgjedhje të qeta balotazhi në 18 komuna, përfshirë pesë qytetet më të mëdha. Pjesëmarrja ishte pak mbi 32%.

Kosovë: Qendër votimi për zgjedhjet lokale
Pjesëmarrja në raundin e balotazhit në 18 komuna ishte e ulët. Fotografi: Bekim Shehu/DW

Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të shpallura në orët e vona të së dielës, në këtë raund balotazhi Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) fitoi 5 komuna, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit në detyrë Albin Kurti 4 komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 4 komuna dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 3 komuna. Një komunë e vogël u fitua nga komuniteti turk dhe një nga komuniteti serb.

Kurti: Kishim synuar më shumë

Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se partia e tij në zgjedhjet e balotazhit fitoi në Mitrovicë të Jugut, Fushë Kosovë, Obiliq dhe Gjilan. "Ky është një sukses i LVV-së. Natyrisht që kemi synuar më shumë se kaq”, tha Kurti, duke shtuar se "partitë e tjera u bashkuan kundër LVV-së në rundin e balotazhit, prandaj ky rezultat është një sukses i LVV-së.”

Albin Kurti i komentoi përfundimet e raunditt të balotazhit me fjalët "kishim synuar më shumë se kaq"Fotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

LDK rifiton Prishtinën

Lidhja Demokratike e Kosovës pas katër vjet qeverisjeje në Prishtinë, sërish e fitoi kryeqytetin me mbi 300 mijë banorë. LDK fitoi edhe në qytetin e Pejës, Junik, Viti dhe Dragash. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, fitoi në qytetin e Gjakovës, në Klinë, Suharekë e Rahovec. Partia Demokratike e Kosovës në këtë balotazh fitoi në Prizren, Vushtrri dhe Kaçanik.

Nuk priten ndryshime të rezultateve paraprake

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, "rezultatet përfundimtare të balotazhit të 09.11. do të shpallen pasi të numërohen edhe votat e diasporës, ato të personave me nevoja të veçanta dhe votat me kusht”, por këto nuk do ta ndryshojnë rezultatin dhe nuk mund të shënojnë përmbysje nga rezultatet paraprake dhe komunat tashmë të fituara.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezultatet përfundimtare nuk pritet ta ndryshojnë rezultatin Fotografi: Bekim Shehu/DW

Zgjedhjet lokale në 38 komuna të Kosovës u zhvilluan më 12 tetor, ndërsa në balotazh shkuan 18 komuna , pasi asnjëri nga kandidatët nuk mori mbi 50% të votave.

Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në nivel vendi, përfshirë dy raundet e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e udhëhequr nga Albin Kurti dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku kryesojnë me nga 7 komuna secila. Pas tyre renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 6 komuna, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 5 komuna. Dy komuna të vogla u fituan nga komuniteti turk, një nga Nisma Socialdemokrate, ndërsa 10 komuna, përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut, u fituan nga Lista Serbe, e cila e ka mbështetjen e Beogradit.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW