Kosovë: Presidentja mandaton Kurtin për formimin e qeverisë
11 Tetor 2025
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nënshkroi dekretin përmes të cilit mandaton Albin Kurtin për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Sipas presidentes ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar numrin më të madh të mandateve në kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt të këtij viti.
"Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e qeverisë, z. Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e dekretimit, t'i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e qeverisë për miratim”, thuhet në njoftimin e Presidentës. Mandatimi i Albin Kurtit për formimin e qeverisë së re u mundësua vetëm një ditë pas Parlamenti i Kosovës përfundoi një proces të stërzgjatur të konstituimit me zgjedhjen e nënkrytarit të Kuvendit Nenad Rashiq nga radhët e komunitetit serb. Rashiq nuk është nga lista Srpska, ndonëse kjo e fundit pretendon që nënkryetari i kuvendit u zgjodh jashtligjshëm dhe se i takon asaj ky post, sepse është grupi më i madh parlamentar me nëntë deputetë nga radhët e komunitetit serb.
Raporte delikate të mazhorancës në kuvend
Sidoqoftë, pas konstituimit të kuvendit dhe mandatimit të Kurtit për formimin e qeverisë së re tëKosovës, kabineti qeveritar i propozuar nga ai duhet t'i sigurojë të paktën votat e 61 deputetëve nga 120 deputetë sa i ka Kuvendi i Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje, me 48 mandatet e siguruara në zgjedhje, duhet të hyjë në koalicion me ndonjë parti tjetër në mënyrë që të mund ta formojë qeverinë. Nëse Lëvizja Vetëvendosje dështon të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve, atëherë presidentja Osmani është e detyruar që brenda dhjetë ditësh të ftojë në konsultime partitë politike. Pas konsultimeve, është në diskrecionin e saj për të vendosur për mandatarin e ri, nëse ai dëshmon se ka numrat për të formuar ekzekutivin. Mandatari i ri më pas ka 15 ditë kohë që t'i paraqesë kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar. Por, nëse qeveria nuk formohet as pas përpjekjes së dytë, atëherë presidentja Vjosa Osmani, sipas nenit 95 të Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë.