1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Proces i rregullt zgjedhor për zgjedhjet e jashtëzakonshme

7 Qershor 2026

Qytetarët e Kosovës po votojnë në zgjedhjet e treta parlamentare brenda 16 muajve, me të cilat synohet zhbllokimi i krizës institucionale dhe krijimi i institucioneve të reja.

Kosovo 2026 | Präsidentschaftswahl | Abstimmungsprozess am Wahltag
Fotografi: Bekim Shehu/DW

Që nga ora shtatë e mëngjesit u hapën qendrat e votimit në të gjithë territorin e Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të tretat me radhë brenda 16 muajve. Synimi, për të zhbllokuar krizën institucionale. Pjesëmarrja në votime deri në mesditë sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është pak mbi 8 përqind, pjesëmarrje kjo akoma e ulët, por, fluksi më i madh pritet gjatë pasdites. Qendrat e votimit mbyllen në orën 19:00 të mbrëmjes, ndërsa, rezultatet preliminare të votimit, varësisht nga dinamika e numërimit të votave priten diku rreth mesnatës.

KQZ: Votimi po zhvillohet në kushte të rregullta dhe pa probleme

"Procesi i votimit po zhvillohet sipas planifikimeve. Sipas të dhënave nga komisionet komunale, deri tash votimi po zhvillohet në kushte të rregullta dhe pa probleme”, tha kryesuesi i KQZ-së Kreshnik Radoniqi. Votimi normalisht po zhvillohet edhe në veriun e Kosovës e banuar me shumicë serbe, ndonëse, vëzhguesit lokal, kanë evidentuar turma të organizuara që kanë shkuar të votojnë pranë qendrave të votimit, sikundër flamuj të Serbisë të vendosur në disa shkolla ku zhvillohet votimi. Votimi i organizuar dhe flamujt e shteteve tjera ndalohen sipas rregullave të zgjedhjeve.

Sipas listës së votuesve tashmë të miratuar nga KQZ-ja, të drejtë vote kanë pak mbi dy milionë qytetarë, përfshirë edhe ata që jetojnë jashtë Kosovës. Procesi zgjedhor brenda vendit po zhvillohet në 949 qendra të votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime. Në garë zgjedhore janë 23 parti politike dhe tre koalicione parazgjedhore. Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje garon në koalicion me tri subjekte të vogla, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane, ndërsa tri partitë kryesore opozitare shqiptare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, garojnë të vetme.

Pjesë e garës është edhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tashmë i prin listës për deputetë të Lidhjes Demokratike të KosovësFotografi: Press office of the LDK party

E vetme garon edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar. Pjesë e garës është edhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tashmë i prin listës për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pjesë e së cilës ishte para mandatit presidencial vetë Osmani.

Dita e zgjedhjeve llogaritet heshtje zgjedhore, dhe nuk lejohen thirrjet për të votuar një subjekt të caktuar politik. Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ftoi qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. "Sa më e lartë pjesëmarrja në këto zgjedhje, aq më e fortë është demokracia jonë. Unë ftoj të gjitha palët, ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që në këtë ditë të bukur me diell të dëshmojnë maturi, të dëshmojnë respekt për njëri-tjetrin, si dhe dashuri për vendin”, tha Haxhiu.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ftoi qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.Fotografi: Press office of the Kosovo presidency

Policia e Kosovës nga ana e saj, po siguron mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ndërsa Prokuroria e Shtetit ka angazhuar rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial për të garantuar mbrojtjen e votës së lirë dhe integritetin e procesit zgjedhor.

Edhe kësaj here, zgjedhjet do të vëzhgohen nga qindra vëzhgues vendorë, por do të ketë pak vëzhgues ndërkombëtarë, për faktin që, sipas zyrtarëve të BE-së, për shkak të kohës së shkurtër nuk kanë qenë në gjendje të dërgojnë një mision vëzhgues të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Megjithatë, 500 vëzhgues të zgjedhjeve prezent në 500 vendvotime janë angazhuar vetëm nga rrjeti më i madh i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DNV). "Gjatë ditës së sotme ata do të raportojnë mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, nga hapja e vendvotimeve deri në mbyllje të procesit të numërimit të votave për subjektet politike. Me theks, ata do të përcjellin respektimin e procedurave të votimit dhe numërimit, garantimin e fshehtësisë së votës dhe qasjes së barabartë në votim për të gjithë qytetarët - sipas standardeve ndërkombëtare për vëzhgim të pavarur dhe të paanshëm”, thuhet në njoftimin e DNV-së, duke iu bërë një thirrje të veçantë 16,934 votuesve që votojnë për herë të parë: "vota juaj, më shumë se një e drejtë – është zëri juaj në vendimmarrje”.

Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje garon në koalicion me tri subjekte të vogla, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare DemokristianeFotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

Edhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ndërkaq, kërkoi nga të gjitha subjektet politike dhe përfaqësuesit e tyre angazhim për një proces zgjedhor paqësor, të drejtë, transparent dhe gjithëpërfshirës. Kjo thirrje, sipas BE-së, "thekson rëndësinë e garantimit të një votimi të lirë, duke shmangur çdo ndërhyrje, presion apo manipulim që mund të cenojë vullnetin e lirë të qytetarëve”.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë janë të tretat me radhë vetëm brenda 16 muajve të fundit dhe mbahen pas krizave të njëpasnjëshme politike dhe mungesës së konsensusit ndërmjet partive për emrin e presidentes/it. Analistët politikë, ndërkaq, mbajtjen kaq shpesh të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë e vlerësojnë të dëmshme për vendin sa i përket zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian, ndërsa fajin ua hedhin partive politike të cilat, sipas tyre, kanë dështuar të ndërtojnë klimë konsensusi për vendime nacionale.

Fotografi: Press office of the PDK party
Fotografi: Press office of Kosovo Prime Minister
Fotografi: Press office of the LDK party
Fotografi: Armend Nimani/AFP

DW/Prishtinë

 

 

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW