1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë:Qeveria emëron kreun e AKI, reagon fort Vetëvendosja

Bekim Shehu
25 Nëntor 2019

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj emëroi shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjenës, të cilin më pas e dekretoi edhe Presidenti Thaҁi. Vetëvendosja dhe juristët thonë, se ky emërim është antikushtetues.

Kosovo Pristina | Ramush Haradinaj, Premierminister & Kreshnik Gashi & Burim Ramadani, AKI
Fotografi: Facebook - Ramush Haradinaj, Kosovo Prime Minister

 Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë, që muaj më parë dha dorëheqje nga posti i tij, Ramush Haradinaj, emëruan Kreshnik Gashin në postin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) dhe Burim Ramadanin në postin e inspektorit të përgjithshëm të kësaj agjencie. Njoftimin e bënë publik Presidenti Thaҁi dhe kryeministri në detyrë Haradinaj. "Ky vendim është marrë bazuar në nenin 84, paragrafi 21, bazuar në nenin 94, paragrafi 8, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në një njoftim të presidencës.

Ndërkohë, Ramush Haradinaj, shkroi se "profilet e të emëruarve, (Kreshnik Gashi dhe Burim Ramadani) garantojnë profesionalizmin dhe kredibilitetin e AKI-së”.

"Në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore dhe në bashkërëndim me Presidentin, sot kam emëruar, Kreshnik Gashi, në postin e Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ndërsa Burim Ramadanin në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së. Profilet e të emëruarve, si figura publike me integritet dhe ekspertë për siguri, garantojnë profesionalizmin dhe kredibilitetin e AKI-së”, shkruan Haradinaj.

Drejtori i ri i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, AKI, Kreshnik Gashi, më herët ka mbajtur postin e drejtorit tё bordit tё Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës, ndërsa Burim Ramadani, ishte zëvendësministër i Mbrojtjes në qeverinë Haradinaj.

Në fillim të këtij muaji, nga posti i kreut të AKI-së dha dorëheqjen Shpend Maxhuni, pas një vit e gjysmë nё këtë detyrë.

I menjëhershëm ishte reagimi i lëvizjes Vetëvendosja, parti kjo që doli e para në zgjedhje dhe së bashku me LDK-në, synon ta formojë qeverinë e re të Kosovës. Kjo parti thotë, se emërimet në AKI, në këtë periudhë janë tё jashtёligjhmedhe se rast do ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

"Propozimi nga Haradinaj dhe dekretimi nga Thaçi për të dy këto pozicione është përveç të tjerave dhe antikushtetues. Në dy drejtime, sepse ish-kryeministri s'mund ta ushtrojë këtë kompetencë e Presidenti s'mund të dekretojë propozime nga një ish-kryeministër. Propozimet janë po ashtu emërime politike. I pari, ish-vartës i Hashim Thaçit në MPJ, u emërua si drejtor i AKI-së pasi dështoi t'i mbrojë numrat e Z-mobile nga pozitat e drejtorit të bordit të ARKEP-it. I dyti u emërua kryeinspektor pasi dështoi të bëhej deputet i AAK-së, i cili mbahet mend për ankesat e tij rreth vjedhjes së votave që iu bënë nga brenda subjektit të tij. Duket se ky emërim ishte dhe rehatimi i tij”, thuhet në një njoftim të lëvizjes Vetëvendosja.

Ndërkohë, reagime pati edhe nga shoqëria civile. Instituti kosovar për Drejtësi, IKD, që vazhdimisht monitoron ҁështjet gjyqësore dhe juridike, konstaton se vendimi i sotëm i kryeministrit në largim, për emërimin e të parit të AKI-së është i jashtëligjshëm. Ehat Miftaraj nga IKD, i tha DW-së "Qeveria në largim nuk ka legjitimitet që të bëjë këto emërime.

"Ligji për AKI-në përcakton në mënyrë të qartë se Drejtori i AKI-së për punën e tij do t'i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit të vendit. E kur kësaj i shtohet fakti se gjatë këtyre ditëve apo javëve pritet ceritifkimi i zgjedhjeve, konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe formimi i Qeverisë së re, me një kryeministër që nuk do të jetë Ramush Haradinaj, emërimet e sotme i bën jo legjitime dhe pa pikë integriteti dhe kredibiliteti”, thotë Ehat Miftaraj. Sipas tij, njerëzit që vijnë nga politika nuk mund të emërohen në një institucion që ligji e përcakton se duhet të jenë apolitik.

"Fatkeqësisht, kjo qeveri në ikje nuk ka të ndalur me skandale dhe emërime politike në institucione të rëndësisë së veçantë për sigurinë e Republikës së Kosovës”, thotë Miftaraj.

Në fillim të këtij muaji, nga posti i shefit të AKI-së dha dorëheqje Shpend Maxhuni. Ky më parë mbante postin e drejtorit të përgjithshëm i policisë së Kosovës, ndërsa, në krye të AKI-së pasoi Driton Gashi, që u shkarkua pas skandalit me deportimin e gjashtë shtetasve turq për në Turqi të lidhur me institucionet e predikuesit fetar turk Fethullah Gulen. Depotimi i gjashtë shtetasve turq pa dijeninё e kryeministrit tё atëhershëm Ramush Haradinaj, u kritikua nga organizatat për të drejtat e të njeriut, të cilat thanë se ky pёrbёnte shkelje të Kushtetutës së Kosovës.