1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Rikthehen hetimet në rastin e Astrit Deharit

Bekim Shehu
24 Tetor 2019

Astrit Dehari, një aktivist i Vetëvendosjes me 5 nëntor të vitit 2016 vdiq në burgun e Prizrenit. Prokuroria thotë se “një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit”.

Deutschland Justiz Schwurgerichtssaal im Landgericht Karlsruhe
Fotografi: picture-alliance/dpa/U. Deck

Prokuroria Themelore në Prizren njoftoi se do të rikthejë hetimet në rastin e Astrit Deharit. Kjo u bë e ditur pas publikimit të raportit të një Instituti zviceran të Mjekësisë Ligjore me seli në Lozanë, ku thuhet se "dyshimet paraprake për vetëvrasje duken pak të vërteta”.

"Ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t'i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit”,thuhet në një komunikatën e Prokurorisë.

Astrit Dehari, një aktivist i Vetëvendosjes me 5 nëntor të vitit 2016 vdiq në burgun e qytetit të Prizrenit. Ai aty po mbahej në paraburgim si i dyshuar për sulm mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Rasti në atë kohë kishte ngjallur shumë dyshime dhe njëkohësisht ishte përcjellë me akuza dhe kundër-akuza ndërmjet partive politike në Kosovë.

Prokuroria e Prizrenit në njoftimin e saj, thotë se "ashtu siç është thënë në ekspertizën tonë, ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit.

"Në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh”, thuhet në raportin e institutit zviceran të publikuar në komunikatën e Prokurorisë së Prizrenit.

Në nëntor të vitit 2016 në kohën kur Astrit Dehari ndërroi jetë në burgun e Prizrenit, autoritetet kosovare pas autopsisë së trupit, thanë se "Astrit Dehari është vetëvrarë si pasojë e mbylljes ose bllokimit të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes”. Por, me këtë raport nuk u pajtua familja e Deharit dhe lëvizja Vetëvendosja të cilët patën kërkuar hetim dhe ekspertiza nga jashtë Kosovës.

Tash në komunikatën e prokurorisë thuhet se "Prokuroria do t'i dëgjojë edhe ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë, si dhe ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, për sqarimin e raporteve të tyre dhe nëse është e domosdoshme do të bëhet një super-ekspertizë jashtë vendit në bashkëpunim dhe koordinim me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që të sqarohen rrethanat dhe shkaktarët e vdekjes”.

Prokurori i Shtetit siguron familjen Dehari dhe opinionin publik se "në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvillojë hetime profesionale deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti”.

Raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë iu dorëzua familjes Dehari, të cilët kërkuar që fajtorët të sjellën para drejtësisë.

"Unë si prind tash pres nga organet e drejtësisë që të hapen hetimet dhe të kërkohet përgjegjësi për të gjitha ata që kanë marrë pjesë në vrasjen e Astritit", tha babai i Astritit, Avni Dehari.

Lëvizja Vetëvendosja menjëherë pas njoftimit të prokurorisë, doli me një komunikatë për medie duke bërë thirrje për një hetim të menjëhershëm të rastit Dehari.

"Prokuroria e ka obligim ligjor dhe njerëzor që t'i fillojë hetimet për rastin, në mënyrë që përgjegjësit e këtij krimi monstruoz, që e privoi aktivistin 26 vjeçar Astrit Deharin nga jeta, të vihen të gjithë para drejtësisë. Drejtësia nuk duhet të ndalet para fajtorëve, sado lart që mund të ndodhen ata në hierarkinë e pushtetit. Po ashtu, duhen hetuar edhe ata që përkundër dhimbjes së familjes, shokëve dhe mbarë opinionit publik, u bënë mjet i disinformimit menjëherë pas vrasjes së Astritit në burg. Cili ishte qëllimi i atyre që me çdo mjet, edhe duke gënjyer e duke i ndërruar fjalët, donin ta mbulonin krimin si vetëvrasje?", thuhet në komunikatën për medie të Vetëvendosjes.

Astrit Dehari, 26 vjeçar, me 5 nëntor të vitit 2016 ndërroi jetë në burgun e Prizrenit ku po mbahej në paraburgim nën dyshimet për sulm mbi Kuvendin e Kosovës. Një vit pas një gjykatë në Prishtinë për këtë sulm shpalli fajtor dhe dënoi me gjithsej 21 vjet heqje lirie katër veprimtarë të lëvizjes Vetëvendosje.