1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Rritje e numrit të të prekurve me Covid-19

Bekim Shehu
8 Prill 2020

Instituti i Shëndetit Publik në Kosovë bëri të ditur se ka arritur në 184 numri i personave të prekur me koronavirus dhe në 5 numri i personave që kanë humbur jetën nga pasojat e tij.

Kosovo | Pristina
Fotografi: DW/V. Cerkini

Vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar 19 raste të reja të infektimeve me Covid-19 në Kosovë. Sipas Institutit të Shëndetit Publik gjatë ditës së martë, janë testuar 259 mostra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në qendrën e studentëve në Prishtinë.

"Rastet pozitive janë raste kontakti, shtatë prej tyre me vendbanim në fshatin Smrekonicë të komunës së Vushtrrisë, tre me vendbanim në Prishtinë, dy me vendbanim në fshatin Senik të Malishevës dhe nga një rast në fshatin Llashkadrenovc të Malishevës, Ferizaj, Klinë, Gjakovë, Gjilan, Kamenicë dhe Vushtrri”, thuhet në njoftimin e Intitutit të Shëndetit Publik në Kosovë.

30 pacientë deri tash janë shëruar nga koronavirusi, ndërsa, 49 persona po vazhdojnë trajtimin ne spital. "Nga 49 raste të infektuar me Covid 19, 40 raste janë në gjendje stabile, 7 raste janë në gjendje të rëndë në trajtim me oksigjenoterapi dhe, 2 raste në ventilim mekanik”, thuhet në njoftim.

Fotografi: DW/V. Cerkini

Në të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, nuk janë përfshirë rastet e personave të infektuar me koronavirus nga radhët e komunitetit serb. Por, sipas zyrtarëve lokal të komunave me shumicë serbe, janë 33 të prekur me Covid-19 ndërsa një person ka vdekur në një spital në qytetin e Nishit në Serbi.

Kufizimi i lëvizjes ende në fuqi

Masat e qeverisë së Kosovës kundër përhapjes së koronavirusit që kufizojnë lirinë e lëvizjes nga ora 17:00 h e deri në orën 6:00 h të mëngjesit vazhdojnë të jenë në fuqi, ndonëse, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ato duhen pezulluar me 13 prill, sepse, ishin në kundërshtim me Kushtetutën. Mirëpo, zyrtarë nga qeveria e Kosovës thonë se ata janë duke punuar për të parë që masat afërsisht të njejta të vazhdojnë të jenë në fuqi, por, duke u bazuar në legjislacion dhe akte nënligjore që nuk bien ndesh me Kushtetutën.