Kosovë: Dëbim dhe gjoba për të ndaluarit serbë në Gazimestan
1 Korrik 2026
Më 28 qershor në Gazimestan, gjatë shënimit të Vidovdanit, policia e Kosovës ndaloi nën akuzat për shkaktim të trazirave dhe cënim të rendit dhe qetësisë publike 36 persona të kombësisë serbe. Masa e dëbimit dhe ndalimi i hyrjes në Kosovë të shqiptuara nga Gjykata Themelore vlejnë për shtetasit serbë që nuk posedojnë dokumente të Republikës së Kosovës.
Sipas gjykatëses së këtij rasti, Naime Krasniqi, trupi gjykues i ka shpallur fajtorë të akuzuarit pasi gjatë manifestimit kishin brohoritur parullën "Kosova është Serbi” dhe kishin ngritur lart tre gishtat, një simbol që autoritetet kosovare e konsiderojnë si shprehje të nacionalizmit serb.
Në vendimin e gjykatës thuhet se Policia e Kosovës, para dhe gjatë manifestimit të Vidovdanit, i kishte njoftuar pjesëmarrësit përmes broshurave informative se nuk do të tolerohej shfaqja e simboleve apo mesazheve që nxisin ose përfaqësojnë urrejtje ndëretnike, fetare apo politike.
Reagimi i Listës Srpska
Pas ndalimit të 36 personave, ka reaguar Lista Srpska, subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë, i mbështetur nga Beogradi.
Në reagimin e saj, partia pretendoi se personave të shoqëruar në polici nuk u ishte paraqitur asnjë dokument me shkrim që të shpjegonte arsyet e ndalimit.
"Ky veprim përbën një përpjekje për frikësim dhe dëshmi të represionit të regjimit në Prishtinë”, thuhet në deklaratën e Listës Srpska, e cila shtoi se për rastin janë njoftuar përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe është kërkuar ndërhyrja e tyre urgjente.
Vidovdani dhe tensionet e përsëritura
Vidovdani shënohet çdo vit nga serbët në Kosovë dhe Serbi në Gazimestan, pranë Prishtinës, në përkujtim të Betejës së Kosovës të vitit 1389 kundër Perandorisë Osmane.
Manifestimi është shoqëruar disa herë me tensione politike dhe etnike. Edhe në vitet e kaluara, shfaqja e flamujve të Serbisë dhe simboleve nacionaliste nga pjesëmarrës të ardhur nga Serbia ka shkaktuar reagime dhe përplasje me autoritetet e Kosovës.