1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë-Serbi: Raund i ri bisedimesh në Bruksel për dinarin

4 Prill 2024

A do të ketë zgjidhje në takimin e Brukselit për çështjen e dinarit? Para takimit diplomatë perëndimorë i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren që ndalon përdorimin e dinarit.

Ndërtesa e Shërbimit të Jashtëm të BE
Fotografi: Nicolas Landemard/ZUMA Press/picture alliance

Përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë takohen sot (04.04) në Bruksel nën ndërmjetësimin e BE-së në  një raund të ri bisedimesh për zgjidhjen e situatës së krijuar për dinarin e Serbisë.

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ka hyrë në fuqi me 01.02, parasheh që euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, duke e ndaluar kështu në mënyrë automatike dinarin e Serbisë. Ndalimi i përdorimit të dinarit, sipas diplomatëve perëndimorë, do të ketë ndikim negativ tek serbët e Kosovës që marrin ndihma nga Beogradi. Prandaj ata i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t'u jepet kohë qytetarëve të prekur për t'u përshtatur me situatën e re.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, për Europën dhe Euroazinë, James O'BrienFotografi: Rod Lamkey/CNP/picture alliance

Kërkesa nga SHBA e BE

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, për Europën dhe Euroazinë, James O'Brien më parë bisedoi përmes telefonit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për zbatimin e  marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe diskutimet lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë. James O'Brien shkroi në platformën  X, se me presidenten Osmani diskutoi "rëndësinë e zbatimit të rregullave monetare nga Kosova në mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë komunitetin pakicë serb, dhe që palët të përmbushin të gjitha zotimet e marra në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Për Kosovën kjo përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, shkroi O'Brien.

Mosthemelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe nga ana e Kosovës "nuk do të shihet si sinjal pozitiv se Kosova dëshiron të lëvizë në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, që tash është i lidhur me përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së”, tha më parë dhe zëdhënësi i BE-së Peter Stano. Sipas tij, "Kosova duhet ta zbatojë urgjentisht detyrimin e kamotshëm për formimin e Asociacionit dhe kjo kërkesë është përsëritur disa herë nga Bashkimi Evropian në nivelin më të lartë”.

Zëdhënësi i BE-së, Peter StanoFotografi: Xavier Lejeune/European Union, 2020

Kosova dhe Serbia qysh në vitin 2013 nënshkruan marrëveshjen ku Kosova zotohet se do ta formojë Asociaconin e Komunave me Shumicë Serbe, por, në vitin 2015 Gjykata Kushtetuese konstatoi se marrëveshja nuk është  në harmoni të plotë me Kushtetutën. Kësisoj kjo çështje ka mbetur pezull, ndonëse, në marrëveshjen e vitit të shkuar për normalizimin që u arrit në Ohër të Maqedonisë së Veriut përfshihet edhe Asociacioni. Marrëveshja për normalizim Kosovë-Serbi, parasheh marrëdhënie të mira fqinjësore dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës, ndërsa u kërkon palëve që të përmbushin të gjitha marrëveshjet e mëparshme.

 

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë