1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Shkarkohet kryetarja e KQZ-së Valdete Daka

Bekim Shehu
14 Qershor 2021

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thotë në vendimin për shkarkimin e Valdete Dakës se me veprimet e saj, sidomos gjatë zgjedhjeve të fundit, ajo ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së.

Valdete Daka mit dem Botschafter des QUINT-Landes im Kosovo und dem Direktor der Kosovo-Polizei
Fotografi: office of the central election commission

Si kryetar të KQZ-së në Kosovë presidentja Osmani emëroi gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Kreshnik Radoniqi. Shkarkimi i Valdete Dakës nga detyra e kryetarës së KQZ-së, pasoi pakënaqësitë e shfaqura nga lëvizja Vetëvendosje, ndaj saj.

Pjesë e lëvizjes Vetëvendosja në zgjedhjet e 14 shkurtit ishte edhe vetë zonja Osmani me një listë të saj. Në vendimin e presidentes Osmani për shkarkimin e zonjës Daka nga detyra thuhet se "Kryesuesja e KQZ-së me veprimet e saj, sidomos gjatë procesit të zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit 2021, ka cënuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së. Kryesuesja e KQZ-se, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike, duke pamundësuar kështu balancën e nevojshme në këtë organ. Në fakt, në disa raste, sjelljet e kryesueses janë të njëjta me ato të disa përfaqësuesve të partive politike në KQZ. Rrjedhimisht, kryesuesja qoftë me veprim apo mosveprim, ka kontribuuar ne përshkallëzimin e situatës gjatë mbledhjeve te këtij organi”, thuhet ndër të tjera në vendimin e presidentes Osmani.

Kreshnik Radoniqi dhe Vjosa OsmaniFotografi: Office of the Kosovo presidency

Menjëherë pas vendimit të shkarkimit presidentja Osmani publikoi vendimin e emërimit të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Kreshnik Radoniqi, si kryesues të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në të cilin nuk i kurseu lëvdatat: "gjyqtari Radoniqi, do të sigurojë që integriteti i KQZ-së nuk do të dëmtohet më tutje si dhe do të mundësojë mbarëvajtjen e organizimit të zgjedhjeve lokale bazuar në gjithëpërfshirjen e votuesve në ditën e zgjedhjeve brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës”.

Shoqëria civile: Vendim i motivuar politikisht

Sapo presidentja Osmani publikoi vendimin për shkarkimin e Valdete Dakes si kryetare e KQZ-së, reaguan organizatat e shoqërisë civile, të cilat vazhdimisht monitorojnë zgjedhjet në Kosovë. Organizatat e shoqërisë civile kundërshtojnë shkarkimin e Kryetares së KQZ-së.

Sipas tyre ky është një vendim i motivuar politikisht, si rezultat i ndërrimit të pushtetit në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit. "Bazuar në vendimin për shkarkim, ne vlerësojmë që argumentet e shtruara nga Presidentja janë të pabazuara dhe paraqesin keqinterpretim të situatave përkatëse. Mes tjerash, kryetares së KQZ-së i atribuohen ekskluzivisht të gjitha përgjegjësitë dhe dështimet e supozuara të KQZ-së, përkundër faktit që Kryetarja e KQZ-së është vetëm një nga njëmbëdhjetë anëtarët me të drejtë vote. Madje, rikujtojmë që puna e KQZ-së është vlerësuar pozitivisht nga raportet vendore dhe ato ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve”, thuhet në reagimin e shoqërisë civile.

Sipas tyre, marrja e vendimit për shkarkimin e Valdete Dakës, në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale "përbën ndikim të drejtpërdrejtë në pavarësinë, integritetin dhe mbarëvajtjen e punës së KQZ-së në organizimin dhe administrimin e atyre zgjedhjeve”, thuhet në reagimin e organizatave të shoqërisë civile.

Valdete Daka ishte kryetare e KQZ-së që nga viti 2013.