Kosovë: Pas deklaratave Brnabiqit do t'i ndalohet hyrja
31 Maj 2019Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i kërkoi Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, që në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, të shpallë shtetasin rus Mikhail Krasnoshchenkov si person ‘Non Grata'. Vendimi u mor tԹ premten (31.05) ndaj këtij personi që punon si staf ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara dhe të njëjtit i urdhërohet që të largohet nga territori i Republikës së Kosovës. Ky vendim hyri menjëherë në fuqi (31. 05)”, thuhet në njoftimin e kryeministrit Haradinaj. Vendimi që shtetasi rus i misionit të UNMIK-ut në Kosovë Mikhail Krasnoshchenkov të shpallet person Non Grata, u mor për shkak të veprimeve të tij kundër rendit kushtetues të Kosovës, vlerave universale, paqes dhe stabilitetit, thuhet në njoftimin e kryeministrisë. Në të njëjtën kohë i bëhet thirrje Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë që të respektojë vendimin. Por, shtetasi rus Mikhail Krasnoshchenkov tashmë nuk gjendet në Kosovë. Ai është dërguar për trajtim mjekësor në një qendër spitalore në Beograd, pasi siç thuhet, ka marr lendime gjatë operacionit të policisë së Kosovës në veri ditën e hënë (27.05)kur u arrestuan shumë zyrtarë të policisë të përfshirë në vepra të kundërligjshme. Atë ditë u arrestua edhe shtesai rus, i cili thuhet se ka tentuar të pengojë operacionin e policisë së Kosovës në veri të vendit e banuar me shumicë serbe.
Në listën e Kosovës si persona të padëshiruar dhe që nuk do t'i lejohet hyrja në Kosovë nëse kërkon leje, tashmë është edhe kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq. E gjithë kjo për shkak të një deklarate të saj gjatë një konference për media në Beograd në prani të shefit të Delegacionit të BE-së në Serbi Sem Fabrizi, ku klasën politike në Kosovë ajo i cilësoi si "njerëz që kanë zbritur nga mali”. Kjo deklaratë që Bernabiq e përsëriti edhe një ditë pas, nga Prishtina zyrtare u cilësua si "deklaratë raciste dhe e papranueshme”.
"Ky është racizëm i institucionalizuar në Serbi, që ka brumin në ideologjinë ultranacionaliste të sëmurë që promovon Qeveria e Ana Brnabicit. Shpresoj që Evropa sot të kuptojë se me çfarë lloj njerëzish kemi të bëjmë, me ata që kanë mbështetur vrasjet masive dhe mohojnë krimet e luftës të kryera nga Beogradi në ish-Jugosllavi”, shkroi në profilin e tij ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli.
"E them me përgjegjësi që sa të jem unë ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës, nuk do të lejojë që Kryeministrja serbe të hyjë në Kosovë, për sa kohë që ajo të ndjek një ideologji raciste dhe të sëmurë kundër popullit të Kosovës dhe ndërmjet etnive që jetojnë këtu”, thotë shefi i diplomacisë kosovare.
I ashpër në reagimin e tij ishte edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se "gjuha e përdorur nga kryeministrja e Serbisë, është edhe një tjetër dëshmi e urrejtjes patologjike të regjimit aktual të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës". Presidenti kërkoi nga Bashkimi Evropian që ta dënojë dhe të distancohet nga kjo, siç thotë "gjuhë raciste" e zyrtarëve të Serbisë”, që sipas presidentit "nxit urrejtje dhe i minon përpjekjet për pajtim dhe normalizim”.
"Zhgënjyes për ne është vetëm fakti i hidhur që BE-ja nuk e dënon këtë sjellje raciste dhe antievropiane të Serbisë. Përkundrazi, BE-ja vazhdon t'i mbajë dyert e hapura për një shtet që ka kryer gjenocid dhe që nuk beson në vlerat evropiane as sot”, tha për mediet në Prishtinë Presidenti Hashim Thaçi.
Nuk vonoi shumë dhe erdhi edhe reagimi i Bashkimit Evropian pas deklaratave të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila tha se "në Kosovë, ka zyrtarë shtetërorë që vërtet kanë dalë prej malit”.
Mediet në Prishtinë citojnë zëdhënësen e BE-së Maja Kocijanciq, e cila thotë se "secila retorikë që është fyese, konfrontuese dhe ndarëse, është kundër frymës së bashkëpunimit dhe pajtimit që i duhet rajonit për të ecur përpara”.
"Ngjarjet e ditëve të fundit kanë treguar qartë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, duhet të rezultojë me një marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjatë për normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë Maja Kocijanciq. Sipas saj, gjendja e status-quos nuk është mundësi.
Kosova dhe Serbia kanë ndërprerë dialogun e nisur në vitin 2011, që nga nëntori i vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës vendosi taksë shtesë 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Malit të Zi. Kjo masë e Prishtinës u vendos për shkak, sipas qeverisë së Kosovës, se "Serbia po bën agresion diplomatik kundër Kosovës dhe po rrezikon rendin e saj kushtetues”. Serbia nuk pranon që të ulet në dialog me Prishtinën pa u hequr taksa, ndërsa, Prishtina zyrtare nuk do ta heq taksën përderisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Më 1 korrik në Paris do të takohen udhëheqësit politik të Kosovës dhe Serbisë, takim ky i thirrur nga Presidenti Francez Emannuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, si vazhdimësi e takimit të Berlinit.