Kosovë: Studentët kërkojnë pavarësinë
10 Tetor 2007
Disa qindra studentë të Universitetit të Prishtinës, protestuan qetë duke kërkuar përshpejtimin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Organizatorët e protestës thanë se, do t`ia dërgojnë kërkesat në formë memorandumi, SHBA-ve, BE-së dhe vendeve anëtare të grupit të kontaktit nga të cilat kërkohet, që të garantojnë pavarësinë e Kosovës dhe sovranitetin territorial të saj.
Serbët paralajmërojnë protesta kundër pavarësisë
Nga ana tjetër edhe serbët e Kosovës, kanë paralëjmëruar se më datën 14 të këtij muaji do të zhvillojnë një protestë në veri të Mitrovicës kundër pavarësisë së Kosovës dhe për ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë. Mirëpo, shqetësuese për autoritetet e rendit është fakti që grupacioni serb i ashtuquajtur "Garda e Car llazarit", ka paralajmëruar se të uniformuar do të marrin pjesë në këtë protestë. Autoritet ndërkombëtare janë shprehur se pjesëtarët e kësaj organizatë nuk do të lejohen të futen në Kosovë sepse prania e tyre përbën një kërcënim serioz për situatën e sigurisë.
Protestat mund të shkaktojnë tensione etnike
Paralajmërimet e bëra nga kjo organizatë për planin e protestës në veri të Kosovës kanë natyrë provokative që mund të shkaktojnë tensione etnike. UNMIK-u dhe KFOR-i, po punojnë së bashku për të garantuar rendin ligjin dhe sigurinë publike në Kosovë, thotë Myriam Disables, zëdhënëse e UNMIK-ut. Organet e rendit thonë se, protestat që kanë natyrë paqësore do të lejohen të mbahen kudo në Kosovë, mirëpo prania e Gardës së Car Llazarit në Kosovë nuk do të lejohet sepse shefi i UNMIK-ut, e ka shpallur këtë organizatë ilegale.
Situata e brishtë
Sidoqoftë, autoritetet në Kosovë thonë se paqartësia rreth zgjidhjes së statusit dhe shtyrjet e vazhdueshme të këtij procesi kanë bërë që situata e sigurisë në Kosovë pavarësisht qetësisë aktuale të jetë mjaft e brishtë. Forcat e rendit dhe trupat e KFOR-it, kanë ngritur shkallën e gatishmërisë me patrullime gjithandej rajoneve të Kosovës, ndërsa shprehen se ato janë të përgatitura që të përballen me çfarëdo situatë që mund të paraqitet në terren.