1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Tetë të arrestuar - gjenden amartime dhe eksploziv

30 Nëntor 2024

BE e cilësoi si sulm “terrorist” si dhe akt “sabotues” shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës që rrezikoi furnizimin me ujë dhe energji elektrike për qindra mijëra qytetarë të Kosovës.

Arsenal me armë e municione të sekuestruara nga policia e Kosovës në veri
Armë e municione të sekuesttruara në veri të Kosovës Fotografi: Kosovo Police press office

Në një operacion që u zhvillua në shkallë të gjerë në veri të Kosovës gjatë gjithë ditës së shtunë (30.11.2024), policia arrestoi tetë persona të dyshuar në lidhje me shpërthimin në kanalin e ujit në Ibër Lepenc, duke konfiskuar edhe sasi të madhe armatimi, dhe paisje të tjera ushtarake. Autoritetet kosovare akuzuan Serbinë për përfshirje në sulm, ndërkohë që presidenti serb Aleksandar Vuҫiq, mohoi kategorikisht përfshirjen e shtetit të tij. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svecla, tha në një konferencë të jashtëzakonshme për media, se shpërthimi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, aset ky që cilësohet i një rëndësie të veҫantë për termo-elektranat e Kosovës, ujin e pijes dhe ngrohjen e kryeqytetit, ishte sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës kritike të vendit që pas luftës së vitit 1998-1999. Sipas tij, operacioni i policisë dhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI)  është zhvilluar në dhjetë lokacione në veri të vendit, ndërsa të arrestuarit dyshohen për përfshirje në veprime kriminale e terroriste.

Identifikohen disa të dyshuar në lidhje me sulmin

"Ky është sulm i organizuar dhe i planifikuar mirë nga grupe apo organizata që janë profesioniste në kryerjen e sulmeve të tilla terroriste, që shkaktojnë dëme të mëdha ndaj infrastrukturës kritike. Pra synimi i tyre ka qenë të maksimalizohet dëmtimi në dëm të shtetit të Kosovës”, tha ministri Sveçla.

Drejtori i përgjithshëm i policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se tashmë janë identifikuar disa persona si të dyshuar të mundshëm për nxitjen e akteve të dhunës, organizimit apo ekzekutimit të sulmit të fundit dhe të tjerave në veri të vendit.

"Për realizimin e këtij sulmi terrorist në bazë të hetimit në vendin e ngjarjes dyshohet që është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit nga 15 deri 20 kilogramë, e cila ka qenë e vendosur në një çantë të zezë dhe është aktivizuar me detonator mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme”, tha  Hoxha. Sipas tij, nga operacioni dhe kontrolli ka rezultuar me konfiskimin e një arsenali armësh dhe municioni, eksplozivit, pajisje të ndryshme, përfshirë emblema e qindra uniforma e pajisje ushtarake”. Ai tha se policia "ka arsye të besojë se në një formë apo tjetër, personat e arrestuar kanë qenë të lidhur me rastin e sulmit terrorist të mbrëmshëm dhe me aktivitete ilegale dhe shumë të tjera të mëhershme dhe shumica e tyre janë pjesë të Mbrojtjes Civile”. Këtë organizatë që operon në veri të Kosovës qeveria në Prishtinë vitin e shkuar e ka shpallur organizatë terroriste.

"Gjatë aksionit policor janë sekuestruar mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë raketahedhës dore, tri granata dore, dy pushkë të llojit AK47, një revole, municion të kalibrave të ndryshme, pjesë të armëve, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, të holla në valuta si euro dhe dinar dhe pajisje të tjera”, tha drejtori i policisë Gazmend Hoxha.

Konferenca e shtypit e ministrit të Brendshëm Xhelal Svelca dhe drjetorit të Policisë së Kosovës Gazmend HoxhaFotografi: Kosovo Police press office

Ministri i Bendshëm Xhelal Sveçla, nga ana e tij, tha se "shumica dërrmuese e armatimit dhe pajisjeve të tjera të konfiskuara janë prodhim serb dhe se një pjesë e madhe e tyre janë pajisje ekskluzivisht ushtarake që nuk mund të gjenden lehtë në tregun e zi”.

Më herët gjatë ditës së shtunë, kryeministri i Kosovës,Albin Kurti, tha se "Serbia është përgjegjëse për sulm kriminal dhe terrorist duke synuar ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme dhe vitale të vendit të Kosovës”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e mohoi në mënyrë kategorike përfshirjen e Serbisë në sulmin në veri duke thënë se "Beogradi nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë ndodhi në veri të Kosovës, ku u dëmtua një kanal i ujit i Ibër-Lepencit. Këtë e di edhe Prishtina”, tha Vuҫiq transmeton RTS.

“Përse të justifikohem, të vrapoj nëpër mediat botërore, të kërkoj falje për diçka që nuk e kam bërë kur ata gjithsesi do ta interpretojnë si të duan”, tha Vuҫiq.

Edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, duke hedhur poshtë pretendimet e kryeministrit Kurti, tha se derisa "regjimi etnonacionalist i Kurtit është nxituar ta drejtojë gishtin drejt Beogradit pa prova, ne besojmë se akuza të tilla të parakohshme janë një devijim i qëllimshëm, që potencialisht mund të tregojë përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit” në këtë sulm. Gjuriq tha se "Serbia e dënon me termat më të ashpra sulmin e fundit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit. Ky akt sabotimi është thellësisht shqetësues që rrezikon jetët dhe mirëqenien e shumë njerëzve në rajon”.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës aprovon masa sigurie shtesë

Bashkimi Evropian nga ana tjetër e ka cilësuar si sulm "terrorist” si dhe akt "sabotues” shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit, i cili rrezikoi furnizimin me ujë dhe energji elektrike për qindra mijëra qytetarë të Kosovës.

"BE-ja e dënon ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në Ibër-Lepenc në Zubin Potok në veri të Kosovës. Është një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të Kosovës”, thuhet në komunikatën e shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrel. Sipas tij, ngjarja duhet të hetohet, ndërsa autorët e sulmit duhet të vihen para drejtësisë.

"Këto mesazhe solidariteti dhe mbështetjeje ia kam përcjellë drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti pasditen e së shtunës”, tha Borrell, duke iu bërë thirrje të gjitha palëve që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës dhe theksoi se BE-ja do të vazhdojë t'i ndjekë nga afër zhvillimet.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës tashmë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim.