1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Tradita inkurajon bullizmin kibernetik

7 Korrik 2024

Ata e quajnë veten "Albkings" - disa mijëra burra kosovarë që ngacmojnë gratë në internet. Pasi gazetarja Ardiana Thaçi raportoi për këtë, ajo vetë u bë shënjestër e këtij grupi ekstrem.

 Cybermobbing- grua duke pare celularin
Bullizimi kibernetik një fenomen i ri shoqëror në KosovëFotografi: Christin Klose/dpa Themendienst/picture alliance

Ardiana Thaçi nuk e kishte idenë se raporti i saj investigativ televiziv do të kishte pasoja të tilla për të personalisht. Gazetarja e njohur kosovare nuk e priste që të bëhej viktimë e dhunës kibernetike. Fokusi i emisionit të tyre, i cili u transmetua nga televizioni privat Klan Kosova në maj të këtij viti, ishin "Albkings”, një grup burrash që ishin bërë bashkë në platformën Telegram. Akuza e gazetares: Këta burra postojnë në mënyrë të paligjshme imazhe dhe video intime të grave dhe vajzave për të fyer, frikësuar dhe për të marrë informacione për to.

Gazetarja Ardiana ThaçiFotografi: DW

Thaçi gjithashtu përshkroi qasjen e grupit, i cili ndonjëherë ka mbi 100.000 anëtarë: Në bisedën në Telegram, burrat ndonjëherë dërgojnë foto intime të grave që ose i njohin ose i kanë fotografuar fshehurazi ose fotot e të cilave i kanë kopjuar nga rrjetet sociale. Kushdo që i njeh njerëzit më pas poston numra telefoni ose detaje të tjera private rreth tyre. Anëtarët e grupit dhe viktimat e tyre jetojnë kryesisht në Kosovë dhe Shqipëri. Por fotot dhe videot u shpërndanë edhe në vendet fqinje.

Në fokusin e Albkingëve

Pas publikimit të hulumtimit të saj vetë Thaçi u vu në shënjestrën e Albkingëve. Njëri prej anëtarëve zbuloi numrin e saj të telefonit dhe e publikoi. Që atëherë gazetarja është bombarduar me thirrje telefonike. Telefonuesit anonimë më pyesin, për shembull: "Sa kushton të flesh një natë me ty?"

Prehë e ngacmimeve janë edhe fëmijët e Thaçit. "Për shembull, unë u shqetësova të dielën e kaluar kur dikush thirri në tetë të mëngjesit me një numër nga një vend i BE dhe djali im pesëvjeçar u përgjigj në telefon, sepse unë isha ende në gjumë”, tha Ardiana Thaçi në një takim në kryeqytetin e Kosovës. Ky telefonues anonim e ka ngacmuar edhe gazetaren me pyetje të pahijshme.

Ngacmimi kibernetik është një fenomen i ri shoqëror që po bën bujë në Kosovë.Fotografi: Martin Schutt/dpa/picture alliance

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e sheh publikimin e numrit të telefonit të Thaçit si një formë hakmarrjeje nga Albkingët, e cila jo vetëm që rrezikon sigurinë e Ardiana Thaçit, por shërben edhe si një përpjekje për ta frikësuar atë, për të dëmtuar reputacionin e saj dhe për t'i mbyllur gojën.

Dhuna në familje dhe dhuna kibernetike

Në qershor të vitit 2024 pati një tjetër rast: Portali i lajmeve Kallxo.com publikoi një raport për një rast dhune në familje, prej të cilit u plagosën një grua dhe babai i saj. Sipas hulumtimit të autores së raportit, as policia dhe as prokuroria nuk e kanë trajtuar rastin siç duhet. Të dhënat e gazetares u publikuan tek "Albking” dhe ajo u bë viktimë e dhunës kibernetike.

Kreshnik Gashi, kryeredaktor në Kallxo.com, kujton: "Pak orë pas publikimit të hulumtimit, në rrjetin Telegram Albkings u publikua edhe numri i koleges sonë bashkë me fotografinë e saj, me shënimin se mund ta telefononi. Rezultati ishin qindra telefonata për kolegen".

Shumica e kësaj përfshinte ngacmime seksuale dhe nxitje seksuale. Tashmë policia ka arrestuar katër autorë për këtë rast.

Në fund të qershorit, shtatë administratorë të Albkings u arrestuan dhe grupi i Telegram u mbyll. Kryeprokurori Zejnullah Gashi ka bërë të ditur se do t'i hetojë rastet dhe do t'i nxjerrë autorët para drejtësisë. Megjithatë, sipas të prekurve, tani është krijuar një grup i ri. Që nga fillimi i korrikut 2024, Albkings është prezent në Telegram me gati 20,000 abonentë.

Femrat nuk llogariten

Fakti që preken gazetaret nuk është befasuese për psikologen Kaltrina Ajeti. Si gra me vetëbesim që janë të pranishme në publik, ato përfaqësojnë ndryshimin në rendin shoqëror të Kosovës: "Pavarësia ekonomike e grave në shoqërinë kosovare ka çuar në një krizë të maskulinitetit. Deri tani, burrat kanë krijuar dhe dominuar rendin shoqëror," thotë ajo. Dhe kjo ka efekte të gjera: "Mentaliteti patriarkal që pretendon dominimin në fushën seksuale nuk pranon gra të vetëvendosura".

Psikologia Kaltrina AjetiFotografi: Vjosa Çerkini/DW

Debati për fekondimin artificial nga prilli i këtij viti duket se e vërteton deklaratën e psikologes Kaltrina Ajeti. Aktivistja feministe Zana Avdiu bëri fushatë për përdorimin e fekondimit artificial me sloganin "Nuk na duhen meshkujt” dhe me këtë sulmoi imazhin e meshkujve kosovarë. Një ligj që do t'u jepte grave të pamartuara akses në fekondimin artificial dështoi në parlament, sepse shumica e deputetëve u larguan dhe nuk u arrit numri i kërkuar i votave. E zhgënjyer, aktivistja për të drejtat e grave Avdiu e përmblodhi debatin në Kosovë me tri fjalë të thjeshta: "Gratë nuk llogariten!"

Ngacmimi ndaj grave

Rezistenca digjitale e burrave ndaj kërcënimit të perceptuar nga gratë e vetëvendosura ndjek gjithmonë të njëjtin model: ngacmime të qëllimshme dhe të përsëritura, kërcënime ose ekspozim nëpërmjet internetit ose mediave sociale.

Psikologia Kaltrina Ajeti i përshkruan Albkingët si: "Një grup monstrash që kënaqin dëshirat dhe egon e tyre duke denigruar figurën e njëri-tjetrit, në këtë rast gjininë që e shohin si më të dobët dhe të synuar për një qëllim të caktuar”.

Fotografitë, videot dhe komentet mund të shpërndahen në internet në sekondaFotografi: Gerard Julien/AFP/Getty Images

Teknologjia digjitale i ndihmon burrat për "rezistencën e tyre digjitale". Fotografitë, videot dhe komentet mund të shpërndahen në internet në sekonda. Në grupin Albkings në Telegram, përmbajtjet në të cilat poshtërohen gra dhe vajza marrin miliona klikime. Sipas policisë së Kosovës, vetëm këtë vit janë raportuar 32 raste të publikimit të paautorizuar të fotografive dhe videove. Megjithatë, numri i rasteve të paraportuara është ndoshta shumë më i lartë. Videot u shpërndanë gjithashtu përmes platformës TikTok në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Slloveni.

Edukimi konservator, zhgënjimi seksual

Psikologia nuk dëshiron t'i konsiderojë të gjithë burrat në Kosovë përgjegjës për veprimet e Albkings. Dhe ajo gjithashtu përpiqet të kuptojë sfondin. Burrat kosovarë janë formuar dhe edukuar në shtëpinë e prindërve dhe vlerat që kanë përjetuar atje. Tradicionalisht gratë nuk lejohen të bëjnë seks para martesës. Sidomos në zonat rurale, shkelja e kësaj çon menjëherë në thashetheme dhe sharje të të gjithë familjes së gjerë.

"Nëse marrim parasysh mënyrën se si rriten shumica e djemve në shoqërinë kosovare, ku zhgënjimi seksual është i lartë, por informacioni adekuat për zhvillimin seksual është i pakët, kjo sigurisht që çon në traumë, zhgënjim, që më pas çon në atë se gjinia e kundërt projektohet”.

Ngacmimi kibernetik është rritur ndjeshëm në Kosovë vitet e fundit. Sipas shifrave zyrtare, ka pasur më shumë se 450 raste të raportuara në vitin 2023, dy herë më shumë se në vitin 2019. Por ligjet për të luftuar krimin në internet janë ende shumë që vijnë.