VV dhe LDK pajtohen për kandidatin konsensual për President
31 Gusht 2026
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, pas disa javësh bisedime u pajtuan për kandidatin konsensual për President të Kosovës, duke bërë një hap para drejt fundit të krizës politike tashmë gati dyvjeçare në Kosovë.
Kandidati konsensual për President është Bekim Sejdiu, profesor universitar dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Njoftimi për kandidatin për President të Kosovës u bë më 31.08. në një konferencë për media nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në prani edhe të kryeministrit në detyrë, njëherësh edhe kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili nuk foli për mediat.
Sejdiu: I nderuar për besimin
Kandidati i përbashkët për President, Bekim Sejdiu, tha se e ka pranuar propozimin për të kandiduar për president, duke u vënë kështu "në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ndonëse, siç thotë, "ambicia e tij ka qenë kryesisht e orientuar drejt fushave akademike dhe profesionale”.
"Më nderon besimi që të dyja partitë më kanë dhënë, është nder i madh. Duke qenë i vetëdijshëm për barrën e përgjegjësinë që sjell posti i presidentit, por edhe me kontekstin aktual politik, jam vënë në shërbim të Republikës dhe qytetarëve tanë që të shërbej me devotshmëri”, tha Sejdiu, duke shpresuar "që Republika e Kosovës do të gjejë rrugë për të ecur përpara dhe për t'u përballur me sfidat e mëdha që na presin”.
Bekim Sejdiu, kandidati për president të Kosovës, është profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ai ka shërbyer edhe në diplomacinë kosovare, ndër të tjera si ambasador i Kosovës në Turqi dhe konsull i përgjithshëm në Nju-Jork.
Interesi i Republikës mbi interesin partiak
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se është i lumtur që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje do ta propozojnë bashkërisht prof. dr. Bekim Sejdiun si kandidat për President të Republikës së Kosovës.
"Vendi ynë ka kaluar muaj të tërë në pasiguri politike dhe institucionale. Institucionet kanë mbetur të bllokuara, kohë e çmuar është humbur gjersa qytetarët, me të drejtë, kanë pritur nga ne që ta vendosim interesin e shtetit mbi llogaritë partiake”, tha Abdixhiku. Sipas tij, emri i profesor Sejdiut për President u propozua nga të dyja palët, në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.
"Kur interesi i Republikës vendoset mbi interesin partiak, mund të gjenden njerëz dhe zgjidhje që bashkojnë. Në këtë pikë dua t'i falënderoj të dy ekipet për mbështetjen në këtë proces, për përpjekjet konstruktive në një proces të vështirë dhe kompleks”, tha Abdixhiku, duke shtuar se ai nga z. Sejdiu, pret që "ta përfaqësojë Kosovën me dinjitet para aleatëve tanë, të mbrojë pa asnjë lëkundje orientimin euroatlantik të shtetit dhe të jetë zë i arsyes në kohë përplasjesh dhe faktor bashkues kur dallimet politike e shoqërore bëhen të mëdha”.
Hap i rëndësishëm drejt tejkalimit të ngërçit politik
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, nga ana e saj, tha se "Dakordimi i sotëm është një hap shumë i rëndësishëm drejt tejkalimit të ngërçit dhe funksionalizimit të plotë të institucioneve. Tani është me rëndësi që ky proces të përmbyllet në Kuvend, me përgjegjësinë që kërkon momenti dhe interesi i Republikës”, tha Haxhiu.
Me arritjen e marrëveshjes për presidentin duket se rruga për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë është hapur.
Dy partitë tjera opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca, nuk kanë pranuar të jenë pjesë e diskutimeve për çështjen e Presidentit, duke thënë se ata duan të qëndrojnë në opozitë.
Tani për tani akoma nuk ka njoftim, kur do të thirret seanca për konstituimin e parlamentit të Kosovës, që më pas të hapet rruga për zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës dhe presidentit.
Lëvizja Vetëvendosje i ka 53 vende në parlament dhe së bashku me 18 vendet e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe 10 të pakicave joserbe, mund ta arrijnë numrin prej 81 nga 120 deputetë që ka parlamenti.
Për zgjedhjen e Presidentit të ri janë të mjaftueshme 61 vota, por prania në sallë e të paktën 80 deputetëve është e domosdoshme në mënyrë që procesi i zgjedhjes së presidentit të konsiderohet si legjitim.