1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Në pikëpyetje mbajtja e zgjedhjeve lokale në veri

8 Dhjetor 2022

Sipas autoriteteve ndërkombëtare nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Ato dënuan incidentet në veriun e Kosovës.

Kosovo | Serbische Flaggen im nördlichen Teil von Mitrovica
Fotografi: Milica Andrić Rakić/DW

Disa nga ambasadorët e vendeve të QUINT-tit janë shprehur, se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat e veriut të Kosovës, pas incidenteve që u shënuan atje, ku persona të maskuar sulmuan me mjete shpërthyese zyrat e KQZ-së në veri. Madje pati edhe të shtëna armësh.

Reagimet pas tensionimit të situatës

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey Hovenier, pas incidenteve në veri tha se "siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë", prandaj në këtë linjë sipas tij, nuk ka kushte që zgjedhjet të mbahen në veri me 18 dhjetor. "Kthimi nga dhuna dhe frikësimi, përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes, dhe rrezikimi i jetëve nuk janë kurrë metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë", shkroi Hovenier në Twitter.

Edhe ambasadori  i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, u shpreh se "dhuna ndaj zyrave zgjedhore komunale është e papranueshme”, andaj sipas tij "është mirë që Policia, EULEX-i dhe KFOR-i janë prezente”. "Vërtet shumë shqetësuese. Dhuna e djeshme ndaj zyrave zgjedhore komunale është e papranueshme. Mirë që PK-ja në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in është prezente. Mbështetje e plotë për demonstratat paqësore, por zero tolerancë ndaj dhunës”, shkroi Rohde në Twitter.

Policia e EUELX-it në veri të MitrovicësFotografi: M. Andrić-Rakić/DW

Edhe shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, tha se "çfarëdo proteste duhet të jetë paqësore dhe të gjithë duhet të ruajnë qetësinë dhe të tregohen të përmbajtur”, ndërsa, nënvizoi se misioni i tij "do të vëzhgojë situatën në bashkëpunim të ngushtë me policinë e Kosovës dhe KFOR-in.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë dënuar incidentet që ndodhën në veri duke thënë se pas  këtyre incidenteve qëndrojnë "bandat kriminale që financohen dhe dirigjohen nga Serbia”. Kryeministri Albin Kurti, në reagimin e tij tha se "bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës”.

Fotografi: ARMEND NIMANI/AFP

"Ato e dinë se po ju vjen fundi. Qeveria e Kosovës as s'bën pazare me to dhe as s'i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje”, shkroi Kurti në reagimin e tij.

Vendimi për shtyrje mbi bazën e vlerësimit të organeve të sigurisë

Pas dorëheqjes masive muajin e shkuar të përfaqësuesve lokalë në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani caktoi 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në  këtë pjesë të banuar me shumicë serbe.

Pas tensionimit të sërishëm të situatës atje dhe rekomandimeve të  ambasadorëve, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ajo "do të mund të vendosë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve në veri të Kosovës, vetëm nëse për këtë çështje do të japin vlerësim organet e sigurisë dhe ato zgjedhore”. "Presidenca është në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen një kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, sipas praktikave të Komisionit të Venedikut, presidentja Osmani do t'i ftojë subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin”, thanë zyrtarë nga presidenca.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha nga ana e tij se "qasja në veri e institucionit që ai udhëheq është e kufizuar”. "Në rrethana të tilla, nuk mund të punohet sipas planeve të parapara, tha Radoniqi. Megjikëtë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mërkurën bëri tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veriun e Kosovës.

Policët serbë heqin uniformat në Zveçan, 5 nëntor 2022Fotografi: Bojan Slavkovic/AP Photo/picture alliance

Sulme me mjete të rrezikshme

Policia e Kosovës tha se derisa po shoqëronte zyrtarët komunalë zgjedhorë në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, persona dhe grupe, siç tha të maskuar, përdorën mjete të rrezikshme dhe granata dore, duke dëmtuar zyrat zgjedhore. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se "autoritetet i cilësojnë si sulme terroriste incidentet e shënuara një ditë më parë në veri të Kosovës”. "Ato përbëjnë sulm ndaj rendit kushtetues, shtytje e veprave terroriste, kryerje e veprave terroriste, zjarrvënie dhe mbajtje dhe posedim i armëve”, tha ministri Sveҫla duke shtuar se në bazë të të dhënave të para të mbledhura nga terreni, “qoftë nga policia, qoftë nga inteligjenca, një pjesë e këtyre kriminelëve kishin qenë në të kaluarën pjesë e Policisë së Kosovës”.

"Sipas informatave që kemi, disa prej tyre janë ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës, nuk po them të gjithë, por disa janë nga zyrtarët që kanë dhënë dorëheqje kohëve të fundit”, tha Sveçla. Pjesëtarët e komunitetit serb, që ishin pjesë e Policisë së Kosovës, dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me rirregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Autoritetet ndërkombëtare po u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në mënyrë evropiane dhe të përqendrohen në arritjen e një marrëveshje për normalizim bazuar në një plan franko-gjermane, që mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara. Plani tashmë iu është dorëzuar autoriteteve të Beogradit dhe Prishtinës, ndërsa detajet e tij akoma nuk janë bërë publike.