1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet e 6 tetorit ndryshuan skenën politike kosovare

Bekim Shehu''
7 Tetor 2019

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u zhvilluan të dielën, të cilat u fituan nga opozita e deridjeshme, e ndryshuan skenën politike në Kosovë.

Kosovo Pristina | Albin Kurti Partiführer von Lëvizja Vetëvendosje
Fotografi: picture-alliance/AA/U. Sulejman

Rezultatet parapake të zgjedhjeve, apo 98% e rreth 800 mijë votuesve sa morën pjesë në zgjedhje, e nxjerrin lëvizjen Vetëvendosja të Albin Kurtit subjektin e parë politik me 26% të votave të fituara në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën të dielën (06.10.) në Kosovë. VV ndiqet me një rezultat të ngushtë nga Lidhja Demokratike e Kosovës LDK me rreth 25%.

Partia e tretë u rendit Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21% të votave. Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, e pranoi humbjen dhe tha se PDK përfundimisht do të shkojë në opozitë.

Partia e Ramush Haradinajt (që ishte në koalicion me PSD), dorëheqja e të cilit nga posti i kryeministrit bëri që vendi të shkojë në zgjedhje, fitoi vetëm rreth 12%.

Lista Srpska renditet partia e pestë, ndërsa, Nisma-AKR për Kosovën është në limitet e pragut zgjedhor pak më pak se 5%, që rrezikon të mos hyjë fare në Parlamentin e Kosovës. Të panumëruara akoma janë votat me kusht dhe ato nga diaspora, njofton zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

"Përsa i takon kohës se kur do fillojë numërimi i votave me kusht, i votave me nevoja të veçanta dhe votave përmes postës, ne varemi nga procedura dhe dinamika e punëve që zhvillohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Por shpresojmë se brenda pak ditësh do të arrijmë të mbarohen të gjitha këto punë në mënyrë që të fillojmë edhe numërimin të këtyre kategorive dhe votave jashtë vendit”, u shpreh zëdhënësi i KQZ-së.

Ai njoftoi se 2785 persona kanë qenë të regjistruar si persona me nevoja të veçanta, ndërsa Komisioni Qendror Zgjedhor me postë ka pranuar 16 mijë pako të supozuara me fletëvotime.

Zgjedhjet u zhvilluan në tërë Kosovën ku kishte 895 qendra votimi me 2.547 vendvotime. Nga 25 subjekte politike garuan 1067 kandidatë për deputetë. Në zgjedhje morën pjesë 44 për qind e qytetarëve nga 1.9 milion me të drejtë vote.

Kandidati i lëvizjes Vetëvendosja për kryeministër Albin Kurti, në një deklaratë për medie tha të hënën se "me fitoren e Vetëvendosjes, po hapet një epokë e re për Kosovën” ndërsa, paralajmëroi hapjen e negociatave për koalicion qeveritar me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

"Prej mbrëmë ka shpresë. Sepse dje pati guxim. Ju votuat masivisht duke bërë që opozita e deridjeshme të korrë fitore bindëse. Ndryshimi ndodhi. Dhe, jo vetëm kaq. Populli vendosi që këtij ndryshimi i prin dhe do t'i prijë Lëvizja VETËVENDOSJE”, shkroi Albin Kurti.

Kurti: do të bashkëpunoj ngushtë me faktorët ndërkombëtarë

Vjosa OsmaniFotografi: Reuters/F. Goga

Ai tha se do të bashkëpunojë ngushtë me faktorët ndërkombëtarë, të cilët e njohin pavarësinë e Kosovës, veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, Gjermaninë, Britaninë e Madhe e vende të tjera.

"Do të jem partner me partnerët dhe aleat me aleatët, sepse shteti ynë ka nevojë për miq, për përkrahje e për ndihmë”, tha Albin Kurti.

Lidhja Demokratike e Kosovës nga ana e saj, akoma është duke pritur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, ndërsa nuk e ka përjashtuar mundësinë e koalicionit me Vetëvendosjen.

Në zgjedhjet e 6 tetorit morën pjesë edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, ku Lista "Srpska” që ka mbështetjen e Beogradit, i fitoi 10 vende në parlament sa u garantohen edhe me kushtetutë. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq, në një konferencë për medie në Beograd tha se "Lista Serbe e ka arritur fitoren më të madhe dhe më bindëse në historinë e saj”.

"Lista Serbe ka arritur fitoren më bindëse. Ajo ka marrë 98,07% të votave të votuesve serbë. Ata do ta kenë një përfaqësim të fuqishëm politik në Kuvendin e Kosovës dhe do të mund të luftojnë për interesin e popullit të vet”, ka thënë Aleksandër Vuçiq.

Si do të rrjedhë procesi për krijimin e qeverisë 

Fillimisht duhen pritur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe çertifikimi i tyre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, gjë që sipas zyrtarëve të KQZ-së, do të kërkojë disa ditë kohë. Pas konstituimit të Kuvendit dhe betimit që duhet të bëjnë deputetët e rinj, presidenti i Kosovës i kërkon partisë fituese të zgjedhjeve apo koalicionit paszgjedhor që duhet formuar më partinë fituese, emërimin e kandidatit të saj për kryeministër. Ai duhet të marrë të paktën 61 vota nga 120 vende në parlament, në mënyrë që të marrë mandatin për krijimin e qeverisë së re. Pakicat kombëtare kanë 20 vende të garantuara në Kuvend, ndërsa, në qeverinë e re të paktën një dikaster qeveritar duhet t'i takojë përfaqësuesve të serbëve të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, një ditë pas zgjedhjeve i uroj qytetarët e Kosovës dhe partitë politike për zgjedhjet siç tha "shembullore, për votimin e dinjitetshëm, të lirë dhe demokratik”.

"Kosova dëshmoi edhe një herë pjekuri të lartë politike dhe demokratike. Tash të njëjtën pjekuri politike duhet ta tregojmë edhe në formimin e qeverisë së re, sa më parë dhe në përballje me sfidat e menjëhershme që e presin Kosovën”, shkroi Presidenti Thaçi.

Sfida e parë që e pret qeverinë e re është përballja në dialog me Serbinë, që me ngulm po kërkohet nga faktori ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë nga SHBA-së. Albin Kurti gjatë fushatës parazgjedhore vazhdimisht ka deklaruar se ai si kryeministër do ta udhëheqë vetë dialogun me Serbinë dhe jo Presidenti i Kosovës, dhe ka paralajmëruar rishikimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tash në dialogun Kosovë-Serbi.