Kosovë: Zgjedhjet lokale me pjesëmarrje rreth 39 përqind
12 Tetor 2025
Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, procesi zgjedhor ishte i qetë përfshirë edhe veriun e Kosovës dhe pjesëmarrja në votime në mbarë vendin ishte pak më shumë se 39 për qind. KQZ, tashmë ka filluar me numërimin e votave, por rezultatet paraprake pritet gjatë ditës së hënë. Të drejtë vote në këto zgjedhje kishin dy milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.
"Qytetarët e Kosovës dëshmuan kulturën demokratike"
Kryeministri në detyrë i qeverisë së Kosovës, i cili tashmë është i mandatuar për krijimin e qeverisë së re, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale tha, se qytetarët e Kosovës ditën e dielë "dëshmuan kulturën demokratike”.
"Sot, me qetësi e maturi, qytetarët e Kosovës dëshmuan edhe njëherë kulturën demokratike duke kaluar ditën e zgjedhjeve lokale me dinjitet e përgjegjësi”, shkruan Kurti, duke shtuar se "tash është koha e komisionerëve dhe vëzhguesve, të cilët jo vetëm i numërojnë votat, por edhe i ruajnë ato dhe vullnetin e shprehur të qytetarëve”.
Edhe rrjeti i organizatave joqeveritare që monitorojnë proceset zgjedhore "Demokracia në Veprim” (DnV) dhe KDI që kishte të mobilizuar qindra vëzhgues në mbarë Kosovën, tha se procesi zgjedhor u zhvillua në një atmosferë të qetë dhe demokratike.
"DnV u bën thirrje të gjithë komisionerëve që të vazhdojnë numërimin me të njëjtin përkushtim, duke ditur se ky proces është po aq i rëndësishëm sa votimi. Gjithashtu, u bëjmë thirrje subjekteve politike dhe përfaqësuesve të tyre të presin me qetësi rezultatet zyrtare të zgjedhjeve dhe të demonstrojnë përgjegjësi politike e qytetare", thuhet në një njoftim të DnV-së.
Në shumicën e komunave mund të ketë balotazh më 9 nëntor
Mediet kryesore në Kosovë kanë bërë matje gjatë ditës dhe sipas exit poll-eve të publikuara pas përfundimit të procesit zgjedhor, vetëm pak komuna të Kosovës nga 38 gjithsej, në këtë raund do të kenë kryetar të zgjedhur, ndërsa, shumica do të duhet të zhvillojnë garë balotazhi me datën 09.11.
Në këtë garë për zgjedhjet lokale të certifikuar ishin 5626 kandidatë, përfshirë 206 kandidatë për kryetarë komunash dhe të tjerët për ulëse në kuvendet komunale. Në zgjedhje morën pjesë 93 subjekte politike, ndër to 32 parti, 32 iniciativa qytetare, 2 koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur. Procesi i votimit sipas KQZ-së, u zhvillua normalisht edhe në veri të Kosovës në katër komunat me shumicë serbe.Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku, për gati tash e tri vjet udhëhiqeshin nga kryetarë shqiptarë, por, me pjesëmarrjen e partive serbe në këto zgjedhje, ato pritet të udhëheqin me këto komuna. Në këto zgjedhje lokale garuan, përveç Listës Serbe, edhe katër parti të tjera serbe, si dhe disa iniciativa qytetare. Ish-kryeministri i Serbisë Millosh Vuçeviq, deklaroi të dielën se pret pjesëmarrje të lartë të serbëve në zgjedhjet lokale në Kosovë, duke vlerësuar se "ky veprim nuk është thjesht votim për ndonjë opsion politik, por çështje e mbijetesës së serbëve në Kosovë”.
Zgjedhjet lokale në kontekst të ndërlikuar politik
Nga ana tjetër Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje në procesin zgjedhor në Kosovë përmes, siç thotë ajo, "influencës politike dhe presioneve ndaj qytetarëve serbë që të votojnë për Listën Serbe”, parti politike kjo që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Zgjedhjet lokale të 12 tetorit u zhvilluan në një kontekst të ndërlikuar politik, pasi vendi gjendet ende në pritje të formimit të qeverisë së re Kosovës pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt të këtij viti. Fushata për zgjedhjet lokale, megjithatë, u ndikua edhe nga tensionet politike në nivel qendror dhe nga rivalitetet e partive kryesore politike, Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilat garuan në përpjekje për të konsoliduar ndikimin e tyre në pushtetin lokal.