Edhe Serbia duhet të jetë e interesuar për marrëveshjen
10 Korrik 2020Eurodeputetja gjermane Viola von Cramon- Taubadel, e cila është edhe raportuesja e grupit parlamentar të Të gjelbërve/EFA për Kosovën, flet në një intervistë me Deutsche Welle për pakënaqësitë e mëdha të qytetarëve në Serbi ndaj qeverisë së Presidentit Vuçiq dhe për shpresat që ka lidhur me dialogun Kosovë- Serbi.
DW: Serbia ndodhet në një gjendje sipas të cilës kurrkush nuk mund ta imagjinojë një vend të tillë të jetë në BE. Kur kemi parasysh që ne kemi fqinjë Orbanin, i cili reagon në mënyrë të ngjashme me Vuçiqin…
Von Cramon- Taubadel: …gjë që është mjaft keq. Po shihet qartë. Hungaria është një shembull, të cilin ne nuk duam ta përsërisim. Nuk nuk duam një shembull tjetër të kësaj natyre, ku institucionet shpërbëhen, ku demokracia çfuqizohet, ose shteti zhvlerësohet, ku likuidohet liria e shkencës. Ajo është një shembull që nuk duhet përsëritur. Unë kërkoj më shumë që Këshilli i BE-së, pra zonja Merkel dhe zoti Vuçiq të bëhen më aktiv. Ne si parlament mund t’i shoqërojmë zhvillimet deri në një gradë të caktuar dhe të shtrojmë detyrat që duhen arritur, por ne duhet të punojmë krah për krah me Komisionin dhe me Këshillin e BE. Me thënë të drejtën, mua më mungon përkrahja e tyre. Në Serbi ka shumë njerëz që janë të pakënaqur. Një pjesë e mirë e shoqërisë serbe nuk do që të durojë më presionin që bën Vuçiqi, dhe natyrisht ka nevojë për përkrahje nga ana e BE-së për të pasur shtetin e së drejtës, për reformën në sistemin e drejtësisë, për të pasur një politikë tjetër shtetërore e kështu me radhë. Që do të thotë se ajo që kërkojmë ne duhet arritur duke e nxitur që të ndodhë atje në vend. Shumë vetë në Serbi e ndiejnë veten tani të lënë në baltë prej BE-së, prej nesh.
DW: Çfarë mendimi keni për „forcat që vijnë nga vendet fqinjë“, për të cilat foli dje Vuçiqi, pa përmendur konkretisht kërrkënd. A nuk është kjo një gjë shumë e rrezikshme?
Von Cramon-Taubadel: Të them të drejtën nuk e kam ndjekur me kaq hollësi. Ajo që di unë është se në Ballkan përdoren menjëherë teoritë e konspiracionit, por unë nuk do të doja të merresha me komente.
DW: Nesër dhe të dielën zhvillohen bisedimet. Ju jeni raportuesja për Kosovën. Prisni diçka prej këtyre përpjekjeve për të rifilluar dialogun?
Von Cramon- Taubadel: Patjetër. Për të dyja palët, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, interesi duhet të jetë i madh për të arritur tek mirëkuptimi reciprok për të patur një marrëveshje, në mënyrë që të arrihet integrimi rajonal i të dy vendeve. Kjo ka të bëjë me ekonominë, energjinë, integrimin në tregun energjetik, pra na duhet një perspektivë për të dy vendet dhe për këtë duhet arritur një ditë një mirëkuptim. Ndërkohë janë bërë shumë hapa në drejtimin e duhur dhe unë shoh interes të madh nga të dy vendet që të afrohen. Unë e di se në Kosovë ka shumë lëvizje dhe shumë gatishmëri për të arritur tek marëveshja. Unë shpresoj dhe po drejtoj një apel që edhe në Serbi të ndodhë kështu. Vuçiq ka qenë në të kaluarën concelant, ka treguar gatishmëri që me dialog të arrihet në një bazë të përbashkët. Pra kjo gatishmëri ekziston.