1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova ashpërson masat anti-covid

Bekim Shehu
29 Gusht 2021

Masat e reja anti-covid përfshijnë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve si dhe paraqitjen e certifikatës së vaksinimit për t’u lejuar të hyjnë në vendet e punës nga punonjësit e sektorit publik.

Serbien Kursumlija | Coronakrise: Bewohner werden geimpft
Fotografi: Jelena Djukic Pejic/DW

Situata epidemiologjike në Kosovë është rënduar shumë dhe për pasojë qeveria e Kosovës vendosi të rikthejë kufizimin e lirisë së lëvizjes. Masat do të jenë në fuqi nga data 28.08. deri më 13.09. Po ashtu qeveria vendosi që viti i ri shkollor që parashikohet të fillojë më 1 shtator, të shtyhet për dy javë deri më 13 shtator. Grupmoshat e reja sipas autoriteteve të shëndetësisë janë bërë së fundmi shpërndarës të virusit. Në një konferencë për medie pas mbledhjes së qeverisë ku u vendos për ashpërsimin e masave, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se "situata paraqet një ngritje e madhe të rasteve të infektimit me COVID-19”.

Kosova nisi e fundit në rajon fushatën e vaksinimit por ky proces po shkon mirëFotografi: Ministry of Health of Kosovo

Masat e reja anti-covid përfshijnë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00. Orari i sektorit të gastronomisë është reduktuar me një orë, pra deri në orën 21:30 dhe do të lejohet të punojë vetëm në hapësira të jashtme. Institucionet publike dhe private janë të detyruara të punojnë vetëm me stafin e domosdoshëm deri më 13 shtator. Pas kësaj date punonjësit e sektorit publik duhet të dëshmojnë certifikatën e vaksinimit apo testet përkatëse në mënyrë që t'u lejohet hyrja në vendet e punës. Për shkak se akoma ka hezitim për vaksinim, kjo masë sipas ministrit Vitia "gradualisht do të përfshijë edhe sfera të tjera të jetës ekonomike dhe sociale”.

Të gjithë personat që do të hyjnë në Kosovë, pavarësisht shtetësisë, duhet të ofrojnë dëshmi për vaksinim apo teste PCR dhe antigjen ose në të kundërtën duhet të izolohen për shtatë ditë.

Procesi i vaksinimit të qytetarëve po vazhdon, ndonëse akoma ka hezitim në masë për marrjen e vaksinës. Megjithatë sipas kryeministrit Albin Kurti, "pavarësisht se Kosova nisi e fundit në rajon fushatën e vaksinimit, ky proces po shkon mire” dhe sipas tij, deri më 6 shtator pritet që në vend të arrijnë edhe 650.000 doza vaksine.

Fotografi: Ministry of Health of Kosovo

Kurse ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, tha se "me ritmin aktual të vaksinimit, deri në fund të vitit Kosova synon të arrijë shkallën e vaksinimit 60 për qind të popullsisë.

"Ky virus do të na shoqërojë edhe për një kohë të gjatë, por vaksinimi na mbron prej tij. Megjithatë, kemi parë se disa vende, përkundër vaksinimit masiv të qytetarëve efekti mbrojtës i vaksinave duke se është 7-8 muaj, pavarësisht se nuk ka studime të qëndrueshme në këtë drejtim. Prandaj ne si qeveri qysh tashmë jemi bërë gati për të siguruar dhe negociuar edhe dozën e tretë që të jemi të gatshëm, nëse paraqitet nevoja", tha ministri Vitia.

Javëve të fundit situata me pandeminë COVID-19 është përkeqësuar në Kosovë. Vetëm javën e fundit u regjistruan 107 viktima dhe 13.475 raste të reja.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen, pasi varianti Delta i virusit korona po përhapet me shpejtësi dhe po shënohet dhe rritje e shpejtë e rasteve pozitive me këtë virus.